**Kosova debuton sot në ‘Macedonian Amateur Open’**

Për herë të parë që nga themelimi i saj, Federata e Golfit të Kosovës po merr pjesë në kampionatin amator të shtetit fqinj, Maqedonisë së Veriut, i njohur si “Macedonian Amateur Open”.

Turneu ka mbledhur gjithsej 69 golfistë nga nëntë vende të ndryshme. Kosova përfaqësohet me 13 garues, duke e bërë atë një nga delegacionet më të mëdha të edicionit.

Gara, megjithëse quhet “Macedonian Amateur Open”, zhvillohet në ambientet e “St Sofia Golf Club” në Bullgari. Ajo karakterizohet nga një atmosferë miqësore, sportive dhe me frymën e “fair play”, duke synuar forcimin e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet golfistëve të rajonit.

Federata e Golfit të Kosovës (FGK) njoftoi përmes një komunikate për shtyp, duke theksuar: “Në foto nga e majta në këmbë: Fatmir Buqani, Veton Zeqiri, Indrit Dauti, Berat Memaj, Kreshnik Dauti, Ardrit Beqiri, Eugen Kryeziu, Leo Kryeziu, Idriz Iseni, Lulzim Vehapi dhe Ismet Miftari. Ulur janë Bilal Vehapi dhe Ahmet Beqiri. I urojmë suksese të gjithë përfaqësuesve tanë! Falënderim i veçantë për Ministrinë e Sportit dhe Rinisë të Kosovës për përkrahjen financiare!”