**NATO-ja nuk përjashton rritjen e trupave të KFOR-it nëse situata e sigurisë e kërkon**

**Bruksel –** Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar më parë se Aleanca planifikon të reduktojë praninë ushtarake të KFOR-it në Kosovë, duke e kthyer atë në nivelet e para vitit 2023. Ai specifikoi se numri i trupave të KFOR-it, aktualisht rreth 4.700 ushtarë, pritet të zvogëlohet në 3.000 deri në 3.500, një masë që vjen si pasojë e përmirësimit të situatës së sigurisë në rajon.

Megjithatë, Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE) nuk e përjashton mundësinë e rritjes së numrit të trupave të KFOR-it në Kosovë, nëse do të jetë e nevojshme për të garantuar sigurinë. Koloneli amerikan Martin L. O’Donell, zëdhënës i SHAPE-s, në një përgjigje ekskluzive për “Gazeta Express”, theksoi se kjo çështje nuk ka të bëjë thjesht me numrat, por me përshtatjen dhe garantimin e sigurisë për të gjithë banorët e Kosovës dhe rajonit më gjerësisht.

“Nuk ka të bëjë me numrat, ka të bëjë me optimizimin dhe me garantimin e sigurisë së të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë,” – citoi “Express” kolonelin O’Donell.

Lidhur me reduktimin e planifikuar, ende nuk është bërë e ditur se cilat vende anëtare të NATO-s që kontribuojnë me trupa në KFOR do të ndikohen nga ky proces i përshtatjes. Një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s, i cili preferoi të mbetej anonim, sqaroi për “Gazeta Express” se pyetjet në lidhje me kontributin e trupave duhet t’u drejtohen vetë vendeve kontribuuese.

I njëjti zyrtar theksoi se gjatë këtij procesi të reduktimit, vlerësimet e situatës së sigurisë do të bëhen në mënyrë të vazhdueshme. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që, në varësi të zhvillimeve në terren, numri i trupave të rritet.

“Vlerësimet e situatës së sigurisë do të bëhen vazhdimisht gjatë këtij procesi. Nëse kërkohen rregullime shtesë, në cilindo drejtim, bazuar në vlerësimin tonë, ne do t’i bëjmë ato, duke garantuar sigurinë dhe mbrojtjen si gjithmonë,” – u shpreh zyrtari i lartë ushtarak i NATO-s.

Ai shtoi se lëvizje të numrit të trupave kanë ndodhur edhe në të kaluarën, dhe se prania ushtarake e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht në varësi të situatës së sigurisë, si në drejtim të rritjes, ashtu edhe të zvogëlimit.

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se KFOR-i do të mbetet i fokusuar në misionin e tij thelbësor, duke marrë parasysh përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.