Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Agron Kyçykun me katër muaj burgim me kusht, me një periudhë prove njëvjeçare, si dhe me dënim plotësues: ndalim gjashtëmujor të qasjes në rrjetet sociale. Ky dënim vjen si pasojë e kanosjes ndaj gazetarit Ardit Kika.
Aktgjykimi u shpall nga gjykatësi Driton Berisha, sipas raportimit të “Betimit për Drejtësi”.
Kyçyku e pranoi fajësinë para shpalljes së aktgjykimit, pasi prokurorja e shtetit, Arta Cukaj, lexoi aktakuzën.
“E pranoj dhe shpreh keqardhje. Ju kërkoj falje të gjithëve dhe personit të dëmtuar për shqetësimin e shkaktuar”, deklaroi Kyçyku.
Avokati mbrojtës i Kyçykut, Bedri Abdullahu, kishte kërkuar që gjykata, gjatë caktimit të dënimit, të merrte parasysh pranimin e fajësisë, shprehjen e keqardhjes dhe rrethanat familjare të të pandehurit.
Nga ana tjetër, i dëmtuari Kika theksoi se gjykata duhet të merrte parasysh faktin që i akuzuari ende nuk e kishte fshirë komentin kërcënues, ndërsa Kyçyku e arsyetoi këtë me pretendimin se nuk po arrinte ta gjente faqen për ta fshirë.
Sipas Prokurorisë, më 22 janar 2026, rreth orës 22:00, në Prishtinë, i pandehuri Agron Kyçyku e kishte kanosur seriozisht gazetarin Ardit Kika të KTV-së, pjesë e kompanisë “Koha”, me qëllim frikësimi. Përmes Facebook-ut, ai i kishte shkruar fjalët: “kta i ndalë likuidimi në emër të popullit, boll i duruam mo, hala ju i pas varret e freskëta nga lufta, merre me mend këta punojnë për shkë e rusi, Amerika po na armatos dhe mundohet që sa më shpejtë me na anëtarësu në NATO – e mediat tona merre me mend çfarë dezinformata shpifin, klm.” Këto fjalë kishin shkaktuar te gazetari Ardit Kika, i dëmtuari, ndjenjë frike, ankthi dhe pasigurie për jetën.
Për këto veprime, Kyçyku ishte akuzuar për veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
