Nxënës 11-vjeçar sulmohet në Deçan, arrestohet i dyshuari
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë në fshatin Dranoc të Deçanit, ku një nxënës 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një burrë. Motivet e këtij incidenti ende mbeten të paqarta.
Rastin e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës, për portalin Ekonomia Online.
“Personi i dyshuar është identifikuar dhe është ndaluar për 48 orë. Lidhur me rastin, kanë nisur hetimet,” deklaroi Nikçi.
I mituri ka marrë trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ky zhvillim ka ngjallur shqetësim të thellë në mesin e prindërve dhe komunitetit.
