Rikthimin te Fenerbahce Vedat Muriqi e ka cilësuar moment me rëndësi të veçantë në karrierën e tij.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës u largua nga Mallorca pas një periudhe të rëndësishme në La Liga dhe tani është rikthyer në Stamboll, te klubi turk ku kishte luajtur edhe gjatë sezonit 2019/2020.

Në një intervistë për televizionin zyrtar të Fenerbahce, Muriqi ka treguar se rikthimi në këtë klub ka një domethënie të madhe për të.

“Është një burim krenarie të jem këtu. E kuptova se sa shumë më kishte munguar ky vend. Më është dhënë edhe një herë mundësia për të luajtur për këtë klub të madh”, ka thënë Muriqi.

Futbollisti kosovar ka theksuar se Fenerbahce ka një vend të veçantë në karrierën e tij, pavarësisht përvojave që ka fituar në Evropë.

“Kam pasur mundësi të luaj dhe të fitoj përvojë në Evropë, por madhështia e Fenerbahces është diçka tjetër. Ky klub është i veçantë”, është shprehur ai.

Muriqi ka bërë të ditur se rikthehet në Turqi si një futbollist më i pjekur dhe më i përgatitur.

“Po kthehem një lojtar tjetër. Kam fituar shumë përvojë dhe kam parë gjëra të ndryshme. Vedati 25-vjeçar ka ikur, tani është një Vedat me më shumë përvojë, por edhe më i uritur për sukses”, ka deklaruar sulmuesi.

Ai ka folur edhe për objektivat personalë, duke thënë se synon të ndihmojë ekipin në çdo mënyrë.

“Dua të shënoj sa më shumë gola, por më e rëndësishmja është të kontribuoj për klubin. Mund të jetë me gola, asistime, luftë në fushë apo edhe duke ndihmuar jashtë saj”, ka shtuar ai.

Në fund, Muriqi ka theksuar se objektivi kryesor i Fenerbahce është titulli i kampionit dhe se ai është gati të japë maksimumin.

“Synimi ynë është titulli. Besoj se do ta fitojmë me kontributin e të gjithëve. Jam i gatshëm të bëj gjithçka që kërkohet për Fenerbahce”, ka thënë Muriqi./rtk