Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës Agron Llugaliu po merr pjesë në Sesionet e 147-të dhe 148-të të Këshillit të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), të cilat po zhvillohen në Bruksel.

Këshilli i OBD-së përfaqëson organin më të lartë vendimmarrës të organizatës, ku marrin pjesë drejtuesit e administratave doganore nga vendet anëtare për të diskutuar prioritetet strategjike dhe zhvillimet më të rëndësishme në fushën doganore.

Gjatë sesioneve, pjesëmarrësit kanë shqyrtuar raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe raportet e komiteteve teknike të OBD-së, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve, standardet dhe politikat doganore, rregullat e origjinës, vlerësimin doganor, nomenklaturën dhe klasifikimin e mallrave, si dhe çështjet që lidhen me zbatimin e ligjit, lehtësimin e tregtisë dhe përdorimin e teknologjisë në procedurat doganore. Në kuadër të agjendës, Këshilli po trajton gjithashtu çështje të politikave institucionale, qeverisjes, financave dhe buxhetit të organizatës, si dhe do të miratojë kalendarin e aktiviteteve dhe sesioneve të ardhshme të OBD-së.

Pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë forum të nivelit më të lartë ndërkombëtar dëshmon përkushtimin e Doganës së Kosovës për të qenë pjesë aktive e proceseve globale të zhvillimit të politikave doganore, harmonizimit me standardet ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me administratat doganore të vendeve partnere.

Dogana e Kosovës mbetet e angazhuar në avancimin e reformave, modernizimin e shërbimeve doganore, lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe forcimin e sigurisë së zinxhirit ndërkombëtar të furnizimit, në përputhje me konventat, standardet dhe praktikat më të mira të Organizatës Botërore të Doganave.