Pika Kufitare e Morinës regjistron fluks të lartë hyrjesh: Mbi 14 mijë pushues nga Kosova dhe rajoni kanë hyrë në Shqipëri brenda 12 orësh.

Pika kufitare e Morinës po përjeton një fluks të theksuar lëvizjesh, ndërsa qindra pushues nga Kosova dhe vendet e rajonit kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet verore.

Sipas të dhënave zyrtare, në intervalin kohor 20:00 të mbrëmjes së djeshme deri në 08:00 të mëngjesit të sotëm, nëpërmjet kësaj pike kufitare kanë hyrë në Shqipëri gjithsej 14,113 persona. Prej tyre, 12,642 ishin shtetas të huaj dhe 1,471 shtetas shqiptarë. Gjatë të njëjtës periudhë, kufirin kanë kaluar edhe 119 autobusë, duke dëshmuar intensitetin e lartë të lëvizjeve.

Ndërkohë, daljet nga territori shqiptar kanë qenë dukshëm më të pakta. Brenda 12 orësh, përmes Morinës kanë dalë vetëm 1,887 shtetas.

Pushuesit shprehen se zgjedhin bregdetin shqiptar për shkak të çmimeve të përballueshme, plazheve të pastra dhe afërsisë gjeografike me Kosovën.

Megjithë fluksin e madh, në pikën kufitare të Morinës nuk janë krijuar radhë apo vonesa të theksuara. Procedurat e kalimit vijojnë normalisht, gjë që i atribuohet edhe marrëveshjes për lëvizjen e lehtësuar mes Shqipërisë dhe Kosovës.