Dukagjin Lipa emocionon me fotot nga dasma e Dua Lipës dhe Callum Turnerit, shfaqet me lot në sy

Dukagjin Lipa, babai i yllit botëror Dua Lipa, ka ndarë me ndjekësit një seri fotografish nga ceremonia martesore e vajzës së tij me aktorin britanik Callum Turner.

Në postimin e tij, Lipa shpalosi disa nga çastet më prekëse dhe festive të kësaj dite të veçantë. Imazhet dëshmojnë atmosferën e ngrohtë familjare, emocionet e thella dhe gëzimin e çastit.

Vëmendje të veçantë ka tërhequr fotografia ku Dukagjin Lipa e përcjell Duan drejt altarit, një moment universalisht emocionues për çdo prind.

Po aq mallëngjyes është edhe një tjetër imazh, ku Dukagjini shfaqet me lot në sy teksa mbante fjalimin e tij gjatë ceremonisë.

Ndër imazhet e publikuara, spikat gjithashtu një portret familjar, që tregon familjen e bashkuar në këtë ditë festive. Një tjetër foto e shfaq Dukagjin Lipën së bashku me dhëndrin, Callum Turner, duke reflektuar një marrëdhënie të ngrohtë dhe miqësore mes tyre.

Postimi i Dukagjin Lipës është pritur me entuziazëm nga fansat, të cilët kanë shprehur urimet më të mira për çiftin dhe kanë komentuar me emocion të thellë momentet e ndara nga kjo ditë e paharrueshme.