Ardi Balliu, një 27-vjeçar shqiptar nga Britania e Madhe, po lufton për jetën pas një aksidenti tragjik gjatë pushimeve në Spanjë. Ai pësoi thyerje të rëndë të shtyllës kurrizore pas një zhytjeje në det, duke e lënë në gjendje kritike dhe me rrezikun e paralizës së përhershme, raporton gazeta britanike “The Mirror”.
Sipas “The Mirror”, dëmtimi i rëndë i shtyllës kurrizore, i shkaktuar pasi u zhyt me kokë në ujë dhe nuk arriti të dilte më në sipërfaqe, ka bërë që Balliu të humbasë ndjeshmërinë në këmbë, me mjekët që dyshojnë se ai nuk do të mund të ecë më kurrë.
Ardi, me origjinë nga Northamptoni i Anglisë, kishte mbërritur vetëm pak ditë më parë në bregdetin Costa del Sol të Spanjës për pushime. Aksidenti tragjik ndodhi kur ai dhe një mik kishin vendosur të vizitonin gjirin e njohur Calo des Moro, një destinacion i frekuentuar nga turistët në Marbella.
Pasi Ardi u zhyt në ujë, shoku i tij u shqetësua rëndë kur 27-vjeçari nuk u rikthye në sipërfaqe. Duke kërkuar ndihmë me zë të lartë, ai alarmio njerëzit e pranishëm dhe notarët e tjerë arritën ta nxjerrin Ardianin nga uji dhe ta sillnin në breg.
Sapo u nxor në plazh, Ardi u tha personave që e ndihmuan se nuk i ndiente këmbët. Menjëherë pas kësaj, ai u transportua me urgjencë me helikopter-ambulancë drejt spitalit, ku po merr kujdes mjekësor intensiv.
Ndërkohë, familja e punëtorit të ndërtimit po organizon një fushatë për mbledhjen e fondeve, me synim kthimin e tij në Britani të Madhe. Deri më tani, janë grumbulluar mbi 34 mijë paund, pasi lufta e tij për jetën vazhdon në spitalin spanjoll.
