Influencuesja britanike Brooke George, 23 vjeçe nga Kenti, po përballet me akuzën për vrasje në Dubai dhe, nëse shpallet fajtore, rrezikon dënimin me vdekje me pushkatim.

Ajo akuzohet se vrau të dashurin e saj, William Treeby, 26 vjeç, në një apartament në Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën.
George, e cila numëron rreth 100 mijë ndjekës në TikTok, pretendon se Treeby e kishte bindur të shkonte në Dubai me premtimin për një jetë luksoze dhe një karrierë si modele. Sipas saj, ai më pas ia kishte konfiskuar pasaportën dhe e kishte goditur në fytyrë kur ajo kërkoi ta merrte mbrapsht.

23-vjeçarja thotë se veproi në vetëmbrojtje, pasi partneri i saj u bë i dhunshëm në momentin kur ajo kishte rezervuar fluturimin për t’u kthyer në Londër. Sipas deklaratës së saj, ajo e goditi me një thikë kuzhine që ndodhej pranë.
George u arrestua të hënën, teksa po përpiqej të hipte në një fluturim drejt Londrës. Edhe pse tashmë është akuzuar zyrtarisht për vrasje, ajo ende nuk është lejuar të takohet me një avokat.
Rastin e saj e ka marrë përsipër organizata për të drejtat e njeriut Detained in Dubai, e cila ka shprehur shqetësim të madh për mënyrën se si po trajtohet.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës deklaroi se autoritetet nuk po hetojnë pretendimet e George për dhunë në familje dhe se mungesa e qasjes në përfaqësim ligjor mund ta vendosë atë në një pozitë edhe më të pafavorshme.
“Duke ditur se Brooke përballet me një akuzë që mund të dënohet me vdekje, nuk mund ta mbivlerësoj shqetësimin tim për të. Vetëm pak ditë më parë ajo përjetoi atë që e përshkruan si një situatë të tmerrshme dhe traumatike. Në vend që të marrë mbështetjen ligjore dhe psikologjike që zakonisht i ofrohet një gruaje të re që pretendon se ka vepruar në vetëmbrojtje pas abuzimit të dyshuar, ajo vazhdon të mbahet pa qasje të duhur te një avokat. Çdo ditë që kalon e vendos atë në një pozitë edhe më të vështirë”, tha ajo.
