Një valë e paprecedentë të nxehti, me temperatura rekord për muajin qershor, ka përfshirë të gjithë Evropën. Në Itali, autoritetet kanë ngritur alarmin për thatësirë, ndërsa lumi më i gjatë i vendit po thahet me shpejtësi, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.
Autoritetet italiane theksojnë se lumi Po nuk ka regjistruar kurrë nivele kaq të ulëta, duke rritur shqetësimet për një thatësirë shkatërruese gjatë korrikut. Sipas agjencisë ndërrajonale të lumenjve, rrjedha e lumit ka rënë nën 300 metra kub në sekondë brenda pak ditësh.
Gjendja është alarmante edhe në Gjermani, ku sot u regjistrua një rekord i ri temperaturash prej 41.5 gradë Celsius në Dreëitz, Saksoni-Anhalt, sipas AFP. Ky rekord e tejkalon atë të 41.3 gradë Celsius, i vendosur vetëm një ditë më parë në Saarbrücken, e cila ishte shpallur si dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në Gjermani.
Nga ana tjetër, mbi 700 fluturime u vonuan dhe dhjetëra të tjera u anuluan në aeroportet e Londrës për shkak të nxehtësisë ekstreme. Autoritetet britanike njoftuan se ishin vendosur kufizime të përkohshme të trafikut ajror si pasojë e valës së të nxehtit, raporton Top Channel.
Për herë të parë, edhe Sllovakia regjistroi temperatura rekord ekstreme, të cilat nuk zbritën nën 26.3 gradë Celsius as gjatë natës. Ndërkohë, Rumania u bë vendi i fundit në kontinent që lëshoi alarmin e kuq, duke paralajmëruar nxehtësi ekstreme në të gjithë vendin nga dita e hënë deri të mërkurën.
Më parë, një numër i madh vendesh evropiane kishin shpallur tashmë alarmin e kuq për shkak të temperaturave ekstreme. Në Spanjë u raportuan qindra viktima, ndërsa Franca po përballet gjithashtu me temperatura mbi 40 gradë Celsius. Republika Çeke, Hungaria dhe Moldavia gjithashtu shpallën alarmin e kuq, ndërsa vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, priten të përballen me ditë të vështira.
Në Danimarkë, Instituti Meteorologjik Danez raportoi një temperaturë prej 37 gradësh Celsius në veri të qytetit Aarhus të shtunën, duke shënuar rekordin më të lartë të regjistruar që nga fillimi i matjeve në vitin 1874.
