Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zbuluar detaje nga takimi i tij i fundit me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili u zhvillua pak ditë më parë në Paris.

Rama e ka vlerësuar takimin me Macronin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të dialogut politik mes dy vendeve.

Në podkastin e tij “Flasim”, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se me presidentin francez ka diskutuar ecurinë e partneritetit strategjik dypalësh, si dhe mbështetjen e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas Ramës, në qendër të bisedës ishin edhe zhvillimet që lidhen me të ardhmen e BE-së dhe roli i Francës në procesin e zgjerimit.

Kryeministri theksoi se Parisi mbetet një partner kyç për avancimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë.

“Franca, si një vend me peshë domethënëse në lidhje me zgjerimin, ka një rol të rëndësishëm në shtytjen e idesë se perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera negociatore është e padiskutueshme, por, nga ana tjetër, duhen gjetur mekanizma të rinj. Kjo është shkruar edhe në letrën e përbashkët të Presidentit Emmanuel Macron me Kancelarin Friedrich Merz,” ka deklaruar Rama.