Policia e Kosovës ka ofruar detaje lidhur me vrasjen e ndodhur të dielën mbrëma në Ferizaj, ku një 32-vjeçar humbi jetën nga një plagë me armë zjarri. Dy persona janë ndaluar për 48 orë në lidhje me këtë ngjarje.

Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rreth orës 22:50, u mor njoftimi se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë, në katin e nëntë të një objekti rezidencial në rrugën “Sejdi Sejdiu”.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë njësitet policore, hetuesit rajonalë, ekspertët e krimteknikës dhe prokurori për Krime të Rënda.

Viktima u identifikua me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa ekipi mjekësor konfirmoi vdekjen e tij në vendngjarje.

“Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes, u konstatua një plagë e dyshuar me armë zjarri. Në vend janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Hetimet fillestare sugjerojnë se ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza A.R. (24 vjeçe).

Policia bën të ditur se 24-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti lidhet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë’,” thuhet më tej.

Me vendim të prokurorit, M.B. është ndaluar për 48 orë, ndërsa i njëjti vendim është lëshuar edhe për A.R., e cila vazhdon të trajtohet në QKUK.

Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim me Prokurorinë, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.