**Celulari, Buzëqeshja Jonë e Vetmuar**
Në të kaluarën, kur udhëtonim me autobus apo metro, ishte e zakonshme të shihnim pasagjerë të zhytur në leximin e një gazete, pa i kushtuar vëmendje personit pranë tyre. Ky ishte një imazh disi ngushëllues, pasi krijonte përshtypjen e një shkëputjeje individuale, por njëkohësisht interesi i përbashkët për lajmet e ditës i afronte udhëtarët. Ata ishin pjesë e botës sonë, nga e cila nuk donin të hiqnin dorë. Prania e tyre ndihej, edhe pse pa komente apo përpjekje për të nisur një bisedë me personin në ulësen ngjitur.
Sot, pamja është krejt ndryshe. Ndërsa je ulur në autobus apo i mbështetur pas një parmaku, je vazhdimisht i angazhuar me celularin, duke shfletuar pa qëllim, dërguar dhe lexuar mesazhe që vijnë pa pushim. E gjithë kjo ndodh ndërsa autobusi frenon, shpejton ose merr një kthesë, duke vënë në provë serioze ekuilibrin e atyre që merren me celularin. Ky imazh i një të riu që sfidon vazhdimisht ekuilibrin për të komunikuar me miqtë, do ta kishte bërë të lumtur sociologun kanadez Marshall McLuhan, teoricienin e “fshatit global”, ku të gjithë janë zhytur në një rrjet komunikimi, një rrjetë e përsosur merimange që na përfshin të gjithëve.
Djemtë dhe vajzat, të zhytur plotësisht në celularët e tyre, injorojnë atë që ndodh përreth, rrallëherë ngrenë kokën për të parë stacionet e autobusëve. Kjo ndodh sepse ata jetojnë në një botë tjetër, e cila madje sfidon ligjet e gravitetit që do t’i rikthenin në realitet. Duke parë fytyrat e tyre, kupton se janë shumë të kënaqur: ata buzëqeshin me mesazhet, apo edhe qeshin zhurmshëm, pa u shqetësuar për praninë e pasagjerëve të tjerë. Është e vërtetë që jetojmë në shoqërinë e emocioneve, duke ua komunikuar ato të tjerëve madje edhe para se të kuptojmë personalisht domethënien e tyre.
Kur ndodhesh pranë një vajze që buzëqesh në autobus, apo një djali që qesh në përgjigje të një mesazhi, përjeton ndjenja të përziera. Ndihemi si udhëtarë të detyruar të dëshmojmë shkëmbime intime, kuptimin e të cilave nuk e rrokim, por njëkohësisht shtrojmë pyetjen se çfarë i bën ata të buzëqeshin dhe kush është në anën tjetër të ekranit.
Ndonjëherë, na lind një pyetje absurde: ndoshta nuk ka njeri me të cilin po komunikojnë; a mos është thjesht një trillim për të mos u ndjerë vetëm? Ndoshta për këtë jemi të ndikuar nga filmi amerikan “Ajo”, i disa viteve më parë, fitues i çmimit Oscar, me regjisor Spike Jonze. Në këtë film, shkruesi i letrave të dashurisë, Theodore, një njeri i ndjeshëm dhe i vetmuar, vendos të krijojë një marrëdhënie romantike me Samantën, sistemin operativ të kompjuterit të tij, e cila i përgjigjet me një zë femre tejet magjepsës.
Për fat të mirë, zilja e celularit na bën të kuptojmë se ekziston një bashkëbisedues real në anën tjetër; djali nuk jeton në një botë që reflektohet vetëm në veten e tij. Megjithatë, edhe pse nuk jeton në një botë të tillë, ekziston rreziku i shmangies së ndërveprimeve me të tjerët. Këto ndërveprime mund të të vendosin në situata të papritura, ndonjëherë të vështira dhe konfliktuale, të cilat mund të shkaktojnë ankth dhe të vënë në provë identitetin personal e sigurinë. Përballë këtyre rreziqeve, telefoni inteligjent bëhet një mik më i sigurt, pothuajse një zgjatim i vetes, vazhdimisht i pranishëm, gjë që na bën të kapërcejmë kufijtë e hapësirës dhe kohës. Edhe në momentet e zbrazëtisë ose mërzisë, ai mbush jetën tonë. Përmes ekranit të tij lidhemi me të tjerët, futemi në faqet që na pasionojnë, luajmë.
Në këtë mënyrë ndërtohet një univers narcisist, i shkëputur nga ligjet e ndërveprimit shoqëror, ku njeriu mund të jetojë lehtësisht pa bërë sakrifica, pa pasur nevojë të presë kohëzgjatjen e komunikimit real. Të mos harrojmë se ndërsa biseda ka kohën dhe rregullat e veta, si dhe vështirësitë për të kuptuar dhe për t’u kuptuar, këtu gjithçka është nën flamurin e menjëhershmërisë dhe shpejtësisë, ku mesazhet thjeshtohen në mënyrë të pashmangshme. Konteksti i shkëmbimeve zvogëlohet, pasi mesazhet që nuk përfshijnë pauza dhe reflektime shumohen; gjithçka reduktohet në një gjuhë të gjymtuar dhe të deformuar. Kjo është arsyeja pse 35% e të rinjve që ndodhen në moshën e pjekurisë nuk janë në gjendje të kuptojnë një tekst me kompleksitet mesatar.
Psikologia amerikane Sherry Turkle, e cila ligjëron në MIT të Bostonit, është përpjekur vitet e fundit të studiojë evolucionin e sjelljeve mendore. Në librin e saj “Së bashku, por vetëm”, ajo përshkruan mënyrën e jetesës në botën e sotme teknologjike: kur jemi në shtëpi, vazhdojmë të dërgojmë mesazhe dhe emaile, edhe kur jemi ulur në tryezë me familjen, e po ashtu gjatë takimeve të punës dhe në klasa. Kontrollojmë Facebook-un ose blejmë produkte online. Siç shkruan Sherry Turkle, ne vazhdimisht jetojmë në një regjim të dyfishtë: flasim, përqafohemi, puthemi me një person tjetër, por truri ynë është sintonizuar diku tjetër, me tingullin e telefonit kur vjen një mesazh. Ndërsa e dimë se sa kjo pengon jetën tonë mendore, vazhdojmë ta bëjmë sepse ndiejmë një vetëkënaqësi të caktuar, e cila madje fillon që në muajt e parë të jetës. Në fakt, nëse një fëmije 10 muajsh i tregohet një lodër apo një ekran smartphone, ai preferon këtë të fundit!
Nga Masimo Amaniti, Psikanalist dhe Profesor në Universitetin “La Sapienza”
