Reperi i njohur, Skepta, ka bërë një thirrje publike drejtuar Kim Kardashian dhe Kanye West që të “mbrojnë fëmijët e tyre”, pas një videoje që u shpërnda gjerësisht në rrjet, ku vajza e tyre 13-vjeçare, North West, shihej duke ndërvepruar me një burrë të rritur gjatë Javës së Modës në Paris.

Artisti britanik, 43 vjeç, reagoi në platformën X (dikur Twitter), duke shpërndarë një klip nga eventi i modës “Vetements Menswear Pranverë/Verë 2027”, ku North fillimisht tenton një shtrëngim duarsh, më pas përqafon një burrë dhe pozon për fotografi me të.

Skepta shprehu shqetësim për mënyrën se si, sipas tij, vajza 13-vjeçare po ekspozohet ndaj ndërveprimeve me të rritur, duke e cilësuar situatën si të papërshtatshme, siç raporton DailyMail.

Ai theksoi se gjuha e saj e trupit tregonte qartë se ajo nuk dëshironte një përqafim.
“Ishte lehtësisht e dallueshme se ajo dëshironte vetëm një shtrëngim duarsh,” shkroi ai, duke shtuar se ishte i shqetësuar për mënyrën se si të rriturit po e përdorin praninë e saj në evente publike.

Në reagimet e tij, Skepta theksoi se, pavarësisht se zakonisht nuk përfshihet në çështje të tilla, e konsideron “të neveritshme” situatën kur fëmijët e personave të famshëm ekspozohen ndaj ndërveprimeve të tilla. Ai u bëri thirrje prindërve të saj që të jenë më të kujdesshëm.

Deklaratat e tij kanë nxitur debat të gjerë në rrjetet sociale, ku një pjesë e përdoruesve shprehën dakordësinë me shqetësimet e tij, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve në ambiente publike.