Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” i ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës që të shmangin hedhjen e mbeturinave në hapësirat publike dhe t’i depozitojnë ato vetëm në kontejnerët e dedikuar. Kjo thirrje vjen pasi kompania largoi një sasi të konsiderueshme mbeturinash nga rruga “UÇK”, në lagjen Qafa, pavarësisht se kontejnerët ndodheshin vetëm pak metra larg vendit të depozitimit ilegal.
Në një reagim të fortë, KRM “Pastrimi” e ka cilësuar këtë praktikë si “turp”, duke theksuar se mbeturinat duhet të hidhen në kontejnerë dhe jo në rrugë apo hapësira të përbashkëta. Ata kanë ritheksuar se kontejnerët janë gjithmonë në dispozicion dhe shpeshherë ndodhen vetëm pak hapa larg vendit ku mbeturinat hidhen ilegalisht.
Kompania i bëri apel qytetarëve që të bashkëpunojnë për ruajtjen e pastërtisë së qytetit, duke përdorur me përgjegjësi infrastrukturën ekzistuese dhe duke shmangur ndotjen e mjedisit urban.
