Komuna e Istogut apelon për kujdes dhe masa parandaluese gjatë korrje-shirjeve

Komuna e Istogut njofton të gjithë fermerët, operatorët e kombajnave dhe palët e tjera të përfshira në procesin e korrje-shirjeve, që gjatë këtij sezoni të respektojnë me rigorozitet masat për parandalimin e zjarreve dhe për zhvillimin e sigurt të punimeve.

Sipas njoftimit, masat që duhet të ndërmerren përfshijnë marrjen e të gjitha masave parandaluese për mbrojtjen e jetës, pronës dhe prodhimit bujqësor. Çdo kombajnë dhe makineri tjetër e përdorur në këtë proces duhet të pajiset me aparat zjarrfikës (P-9), kazmë dhe lopatë.

Gjithashtu, theksohet se pastrimi i filtrave, servisimi dhe furnizimi me karburant duhet të kryhen vetëm në vende të sigurta, jashtë sipërfaqeve të mbjella me grurë. Në sipërfaqe të mëdha, duhet të krijohen shirita ndarës për të kufizuar përhapjen e mundshme të zjarrit. Ndalohet rreptësisht pirja e duhanit gjatë korrje-shirjeve dhe brenda kombajnave. Po ashtu, ndalohet përdorimi i flakës së hapur ose pajisjeve që krijojnë shkëndija pranë parcelave bujqësore.

Në raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrat si më poshtë:
* 112 – Qendra Operative Emergjente
* 193 – Zjarrfikësit në Istog
* 192 – Policia e Kosovës