Zvicra po përjeton një valë të nxehti ekstrem, e cila ka shënuar rekorde të reja në të gjithë vendin. Të shtunën, 19 stacione meteorologjike regjistruan temperatura kulmi, ndërsa në Bazel dhe Beznau termometri arriti në 39 gradë Celsius, një shifër rekord kombëtar për muajin qershor.

Përveç ajrit, edhe lumi Aare ka arritur temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, duke tejkaluar rekordin e vendosur në gusht të vitit 2022. Sipas ekspertëve, kjo ngrohje e ujit po ushtron presion të madh mbi ekosistemin e lumit dhe infrastrukturën energjetike të vendit.

Si pasojë e ngrohjes së lumit Aare, autoritetet zvicerane ndërmorën masa mbrojtëse, duke përfshirë kufizimin e funksionimit të centralit bërthamor të Beznau. Ky central përdor ujin e lumit për ftohje, por temperatura e lartë e tij rrezikon efikasitetin dhe sigurinë e operacionit.

Meteorologët shpjegojnë se kjo valë e të nxehtit, e shkaktuar nga një sistem i fuqishëm me presion të lartë mbi Evropë, ka sjellë temperatura rekord në disa vende të kontinentit. Megjithatë, gjatë ditëve në vijim, priten reshje shiu dhe stuhi, të cilat mund të sjellin një lehtësim të përkohshëm edhe në Zvicër.