Grua 71-vjeçare gjendet e vdekur në bunar në Koshare të Ferizajt

Një grua 71-vjeçare është gjetur e vdekur në një bunar në fshatin Koshare të Ferizajt. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi se rreth orës 13:00 të ditës së sotme, Stacioni Policor në Ferizaj mori një njoftim se një grua kishte rënë në një bunar në fshatin Koshare. Menjëherë, në vendin e ngjarjes shkuan policët e stacionit, hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë.

Një ekip i zjarrfikësve ndërhyri dhe nxori trupin nga bunari. Ekipi i Emergjencës së Ferizajt, gjithashtu në vendin e ngjarjes, konfirmoi vdekjen e 71-vjeçares.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili autorizoi kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore. Ngjarja është cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për autopsi, e cila do të zbardhë shkakun e vdekjes.