Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara, ka raportuar të ardhura prej mbi 1 miliard dollarësh nga aktivitetet e tij në fushën e kriptovalutave gjatë vitit të kaluar. Këto të dhëna bëhen të ditura përmes raportit të tij të detyrueshëm financiar për vitin 2025, shkruan BBC.

Në dokumentin financiar prej 927 faqesh, Trump deklaroi 635 milionë dollarë nga honoraret e monedhës meme “Trump”, vlera e së cilës ka shënuar rënie të ndjeshme që nga lançimi i saj, pak para se ai të merrte detyrën. Përveç kësaj, ai raportoi mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga “World Liberty Financial”, një kompani kriptovalutash e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Steve Witkoff.

Miliona të tjera u fituan gjithashtu nga pasuritë e paluajtshme dhe produktet me markën “Trump”. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka mohuar se presidenti po përfiton nga posti i tij.

Të ardhurat e raportuara në këtë deklarim të fundit financiar tejkalojnë ndjeshëm ato të vitit 2024, kur Trump kishte deklaruar mbi 600 milionë dollarë të ardhura. Shtëpia e Bardhë ka theksuar vazhdimisht se Trump i ka vendosur bizneset e tij në një fond të administruar nga djemtë e tij dhe mohoi sërish ekzistencën e ndonjë konflikti interesi.

Zëvendëssekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se presidenti e ka bërë SHBA-në “kryeqytetin botëror të kriptovalutave” me krenari. “As presidenti dhe as familja e tij nuk janë përfshirë ndonjëherë – dhe nuk do të përfshihen kurrë – në konflikte interesi”, theksoi ajo në një deklaratë. Kelly shtoi: “Të gjitha veprimet e Presidentit Trump dhe administratës së tij ndërmerren në interesin më të mirë të popullit amerikan – dhe çdo i ashtuquajtur ‘gazetar’ që pretendon të kundërtën, thjesht po riciklon të njëjtin narrativ të lodhur dhe të rremë që demokratët dhe mediat tradicionale kanë përhapur prej një dekade.” Vetë presidenti ka pohuar gjithashtu se ai nuk i nënshtrohet ligjeve federale për konfliktin e interesit.

Është me interes të theksohet se Trump dikur ishte kritik i ashpër ndaj kriptovalutave, duke e cilësuar Bitcoin-in si “mashtrim” dhe “një katastrofë në pritje”. Por, deklarimi i së martës tregon se të ardhurat e tij nga kriptovalutat i tejkalojnë ndjeshëm ato nga biznesi i pasurive të paluajtshme, fushë që fillimisht e bëri atë të famshëm.

Nga bizneset e tij tradicionale, ai fitoi rreth 77 milionë dollarë nga klubi Mar-a-Lago dhe 122 milionë dollarë nga klubi i golfit në Doral, Florida. Po ashtu, mbi 30 milionë dollarë u fituan nga secili prej klubeve të tij të golfit në Bedminster, Nju Xhersi; Jupiter, Florida; dhe Turnberry, Skoci. Deklarimi financiar përmend edhe miliona të tjera nga sipërmarrje të ndryshme biznesi, duke përfshirë 4.7 milionë dollarë honorare nga produkte me markën Trump, si orë, Bibla, atlete, parfume dhe kitara.