**Ushtrim i përbashkët “Shpata e Artë 2026”: KFOR, EULEX dhe Policia, me pjesëmarrjen e FSK-së**

Më 2 dhe 3 korrik 2026, KFOR, misioni i udhëhequr nga NATO-ja, së bashku me EULEX-in, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, do të zhvillojnë një ushtrim të përbashkët të quajtur “Shpata e Artë 2026”. Ky aktivitet do të mbahet në Kampin Vrelo.

KFOR ka njoftuar se në këtë ushtrim do të marrë pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj për mbrojtje civile.

Ushtrimi “Shpata e Artë 2026” do të përfshijë mobilizimin e një numri të madh personeli, automjetesh dhe pajisjesh. Ky aktivitet do të shtrihet në zonën e kampit Vrelo, në afërsi të tij dhe përgjatë rrugëve kryesore përreth.

Qëllimi i ushtrimit është të testojë aftësitë dhe procedurat për menaxhimin e krizave, nëpërmjet një sërë skenarësh kompleksë sigurie. Këtu përfshihen situata që lidhen me trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme.

“Ky ushtrim i përbashkët simbolizon angazhimin tonë të vazhdueshëm dhe të fortë për të nxitur bashkëpunimin dhe koordinimin e ndërsjellë, në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë,” theksoi komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Özkan Ulutaş.