Autostrada e Gjilanit: Zef Morina pret përfundimin brenda vitit 2027
Kryetari i PSHDK-së, Zef Morina, ka deklaruar se Ministria e Infrastrukturës po punon intensivisht për zgjidhjen e problemeve të trashëguara në rrjetin rrugor dhe autostradal të vendit. Ai theksoi se këto probleme, të identifikuara tashmë, pritet të marrin zgjidhje brenda një afati të shkurtër.
Në një intervistë për emisionin FIVE, Morina bëri të ditur se jo vetëm autostrada “Ibrahim Rugova”, por edhe disa rrugë të tjera janë përballur me vonesa të akumuluara prej kohësh, të cilat nuk lidhen vetëm me mandatet e fundit qeveritare. “Këto pengesa janë trashëguar ndër vite dhe tani po adresohen me seriozitet për t’u zgjidhur përfundimisht, në mënyrë që të mos ketë më ngecje si më parë,” u shpreh ai.
Lidhur me autostradën e Gjilanit dhe rrugën e Dollcit, Morina informoi se janë kryer analiza të thelluara në terren. Ai theksoi se një vendim përfundimtar për ecurinë e punimeve pritet të merret sapo të konstituohen institucionet e reja qeveritare, me synimin që projekti i autostradës së Gjilanit të përfundojë brenda vitit 2027.
Morina foli edhe për prioritetet e qeverisjes së ardhshme, duke përmendur hekurudhat si një nga pesë shtyllat kryesore të investimeve infrastrukturore. Sipas tij, projekti për rikonstruksionin dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor synon të tërheqë fonde të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare. Financimi i këtij projekti do të sigurohet pjesërisht nga buxheti i shtetit, pjesërisht përmes kredive me kushte të favorshme, ndërsa rreth 50 për qind pritet të mbulohet nga grante ndërkombëtare.
