Edhe pse vera zakonisht lidhet me pushimet, platformat streaming nuk e ulin ritmin. Korriku sjell rikthime të shumëpritura nostalgjike dhe histori krejt të reja, nga komeditë plot aksion te dramat kriminale.
Ja pesë serialet që pritet të tërheqin vëmendjen këtë muaj:
“Elle”
Muaji nis me rikthimin e një prej personazheve më të dashura të ekranit: “Elle Woods”. Në vend të një vazhdimi të “Legally Blonde“, Reese Witherspoon ka zgjedhur të tregojë historinë e viteve të adoleshencës së Elle.
Seriali zhvillohet në vitet ’90 dhe ndjek familjen Woods, e cila zhvendoset nga Kalifornia në Seattle. Nga garderoba rozë te batutat naive, seriali premton një dozë të madhe nostalgjie dhe humor.
“Little House on the Prairie”
Një tjetër klasik rikthehet në ekran. “Little House on the Prairie” vjen si një përshtatje ndryshe e librave të Laura Ingalls Wilder, duke sjellë një kast të ri aktorësh dhe një qasje moderne ndaj historisë.
Remake-u pritet të ngjallë diskutime mes nostalgjikëve, por premton fotografi të bukur dhe një atmosferë familjare që do t’i bëjë shumë prindër të rikthehen te historia që dikur i mbajti të gozhduar pas ekranit. Premiera në Netflix është më 9 korrik.
“Lucky”
Anya Taylor-Joy është protagonistja e “Lucky”, një thriller i bazuar në romanin bestseller të vitit 2021.
Seriali, i krijuar nga Jonathan Tropper, kombinon aksionin me dramën kriminale. Në kast bëjnë pjesë edhe Annette Bening, në rolin e një bosi të pamëshirshëm të krimit, si dhe Timothy Olyphant. Premiera vjen në Apple TV+ më 15 korrik.
“Ride or Die”
Nëse kërkoni një serial me humor dhe aksion, “Ride or Die” mund të jetë zgjedhja ideale.
Octavia Spencer dhe Hannah Waddingham interpretojnë dy shoqe të ngushta, derisa njëra zbulon se tjetra është… vrasëse me pagesë. Nga ai moment gjithçka merr një kthesë të papritur mes situatave komike dhe aventurave të rrezikshme. Seriali vjen në Amazon Prime Video më 15 korrik.
“Furious”
Emmy Rossum rikthehet në televizion me “Furious“, një dramë kriminale që ndjek një agjente të FBI-së në kërkim të një vrasësi serial.
Ndryshe nga thrillerët klasikë, publiku e mëson që në fillim identitetin e autorit. Misteri qëndron te mënyra se si hetuesja do të arrijë ta zbulojë dhe lidhja e fshehtë që i bashkon. Seriali “mban vulën” e Elizabeth Meriwether-it dhe do të shfaqet në Hulu më 27 korrik.
