Tarifat e reja të autobusëve urbanë në kryeqytet: Qytetarët kërkojnë kushte më të mira dhe shprehin mendime të ndara
Në kryeqytet kanë hyrë në fuqi tarifat e reja për transportin publik urban, të cilat parashikojnë çmime të ndryshme në varësi të formës së pagesës (fizike apo digjitale). Ky vendim ka ngjallur reagime të ndryshme te qytetarët, disa prej të cilëve shprehin shqetësim për çmimet, ndërsa të tjerë theksojnë nevojën për kushte më të mira shërbimi.
Sipas tarifave të reja, bileta njëdrejtimëshe fizike do të kushtojë 0.80 euro, ndërsa ajo digjitale ose përmes SMS-it do të jetë 0.60 euro. Bileta ditore do të kushtojë 1.20 euro në versionin fizik dhe 1 euro në atë digjital. Gjithashtu, bileta javore do të jetë 6 euro (fizike) dhe 5 euro (digjitale), ndërsa bileta mujore 18 euro në formë fizike dhe 14.50 euro në formë digjitale.
Lidhur me këtë vendim, qytetarët e kryeqytetit kanë shprehur mendime të ndryshme.
Një qytetar, i cili dëshiroi të mbetej anonim, ka deklaruar për Ekonomia Online se kryetari i komunës duhet t’i llogarisë mirë këto vendime. “Mendoj se këto vendime duhet të llogariten mirë nga kryetari i komunës, duke marrë parasysh të ardhurat dhe shpenzimet, pra duhet të jenë të qëndrueshme financiarisht,” theksoi ai. Ai shtoi se personalisht nuk përdor autobusët e Trafikut Urban, por se ata që udhëtojnë përditë duhet të shprehin pikëpamjet e tyre për këtë çështje.
Nga ana tjetër, qytetari Bahti Shabani shprehet se, edhe pse çmimi i biletave është rritur, për të nuk përbën ndonjë problem të madh. Ai shton se do të dëshironte të kishte më shumë hapësirë në autobusë. “Është e përballueshme, pasi edhe këtu kostot operacionale janë më të larta, dhe në përgjithësi ka pasur një rritje të pagës minimale dhe shpenzimeve të tjera. Edhe pse është rritur çmimi, do të ishte më mirë që shërbimi i autobusëve të ishte më efikas, me autobusë më të gjatë dhe me më shumë hapësirë për udhëtarët,” deklaroi ai, siç raporton Ekonomia Online. Shabani theksoi se nevojiten kushte më të mira, duke përsëritur se çmimi nuk është thelbësor. “Linjat ekzistojnë, por nuk ka vend. Disa linja, si ajo 3 dhe 4, sidomos gjatë orëve të pikut në mëngjes ose mesditë, janë gjithmonë të mbipopulluara. Sa i përket çmimit, për mua nuk përbën problem; e meritojmë. Thjesht duhet punuar më shumë në efikasitet dhe në kushte më të mira për udhëtarët e përditshëm,” shtoi ai.
Edhe Iljami Maqastena u shpreh se ky nuk përbën një shtrenjtim të madh, por theksoi se mund të paraqesë problem për të moshuarit, veçanërisht për ata që nuk dinë si të përshtaten në sistemin e ri digjital. Ai vlerësoi se ka linja të mjaftueshme, trafiku është mjaft i shpejtë dhe oraret respektohen.
Ndryshime janë bërë edhe për linjën e Aeroportit, ku bileta fizike do të kushtojë 6 euro, ndërsa ajo digjitale 5 euro.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar gjithashtu se bileta vjetore digjitale do të kushtojë 150 euro, ndërsa bileta korporative vjetore digjitale, e dedikuar bizneseve me 20 ose më shumë punonjës, do të jetë 120 euro.
Sipas Komunës së Prishtinës, këto ndryshime synojnë të inkurajojnë përdorimin e formave digjitale të pagesës dhe të zgjerojnë procesin e digjitalizimit të transportit publik në kryeqytet.
