Kuvendi i Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, ka shënuar 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 me një diskutim ku morën pjesë disa nga delegatët e Kuvendit të asaj kohe.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e kujtoi këtë ditë historike, duke theksuar se Deklarata Kushtetuese, 36 vite më parë, nisi me dyer të mbyllura dhe me një Kuvend të rrethuar nga forcat serbe.
Haxhiu theksoi se 2 Korriku i vitit 1990 u zhvillua nën rrethim, me dyer të mbyllura dhe polici para Kuvendit. “Delegatët e Kosovës, pikërisht në atë ditë, e nisën me dyer të mbyllura, me polici para Kuvendit, me delegatë jashtë sallës dhe me një pushtet që, pasi ia kishte marrë Kosovës autonominë, kërkonte edhe asgjësim politik,” – tha Haxhiu.
Ajo vazhdoi, duke nënvizuar se “mandati vjen nga populli, dhe delegatët e Kosovës e dëshmuan këtë duke folur në emër të Kosovës, edhe jashtë sallës së Kuvendit. Pa 2 Korrikun nuk mund të kuptohet 7 Shtatori.” Haxhiu shtoi se regjimi me dhunë kishte ndaluar mbledhjet e Kuvendit, por kishte lënë pas një popull që nuk do të pajtohej me këtë represion. “Delegatët që qëndruan jashtë sallës, kishin hyrë në histori,” – u shpreh ajo.
Haxhiu nënvizoi se në atë periudhë, “Kosova përballej me dhunë të organizuar shtetërore, e cila nuk manifestohej vetëm përmes dhunës policore, por edhe në goditjen mbi institucionet, shkollat, punën, gjuhën dhe të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje.”
Më tej, Haxhiu u shpreh se megjithëse Kosova kishte pak hapësirë veprimi, “ajo kishte njerëz të mençur që dinin ta shfrytëzonin atë. Serbia synonte më shumë se qeverisjen e Kosovës; synonte ta linte pa zë politik dhe pa mundësi të shfaqej si subjekt i pavarur. Kundër kësaj u ngrit Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut. Kosova e asaj kohe kishte shumë pak hapësirë, por kishte njerëz që dinin ta përdornin edhe atë pak hapësirë, me mençuri dhe me guxim.”
Ajo shtoi se “ndër ta ishin delegatët që miratuan deklaratën, njerëzit që e hartuan dhe e mbështetën, si dhe të gjithë ata që e kuptuan se politika e Kosovës duhet të fliste me gjuhën e së drejtës, e jo me gjuhën e nënshtrimit. Pas 2 Korrikut erdhi 7 Shtatori, u shpall Kushtetuta e Kaçanikut, më pas referendumi për pavarësi dhe i gjithë organizimi i viteve ’90. Kosova u përpoq të qëndronte në këmbë, me institucionet që krijoi, me shkollat në shtëpi, me universitetin, me jetën politike dhe me qytetarët që nuk pranuan amendamentet e mëhershme dhe dënimin e imponuar.”
Haxhiu theksoi më tej rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke thënë se “rruga politike e viteve ’90 mori kuptimin e saj të plotë me UÇK-në. Ajo mori mbi vete barrën më të rëndë të historisë sonë të re, luftën për çlirimin e vendit. Sakrifica e dëshmorëve, qëndresa e luftëtarëve dhe ndihma e miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët iu përgjigjën thirrjes për liri, e bënë të qartë para botës se Kosova nuk kërkonte privilegj politik, por liri nga shtypja dhe dhuna e organizuar shtetërore.”
Në fund, Haxhiu konkludoi: “Pas luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjes së aleatëve tanë, Kosova hyri në një fazë të re politike. Më 17 shkurt 2008, ajo shpalli Republikën e saj si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ajo ditë kurorëzoi para botës një përpjekje të gjatë, e cila ishte formësuar shumë më herët përmes vendimeve politike, akteve kushtetuese, organizimit, luftës dhe sakrificës. Për këtë arsye, 2 Korriku nuk mund të mbetet vetëm një datë historike. Ai është çasti kur Kosova foli në emër të vetvetes dhe refuzoi që Serbia të vendoste për të.”
