IPK-ja shënon 20-vjetorin, Hoda: Askush nuk qëndron mbi ligjin
Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hoda, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të institucionit, ka theksuar arritjet dhe rolin thelbësor të tij në forcimin e sundimit të ligjit në vend.
Hoda theksoi se gjatë këtyre dy dekadave, puna e IPK-së ka qenë e përqendruar në garantimin e ligjshmërisë dhe trajtimin efikas të mijëra ankesave të qytetarëve.
“Sot shënojmë dy dekada me një synim të qartë: sundimin e ligjit. Jemi angazhuar për trajtimin e mijëra ankesave nga qytetarët dhe sot IPK-ja gëzon besimin e tyre. Kemi dëshmuar se askush nuk qëndron mbi ligjin,” u shpreh Hoda.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional, duke e cilësuar atë kyç për arritjet e Inspektoratit Policor të Kosovës. Në këtë kontekst, Hoda falënderoi Prokurorinë, Policinë e Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Ministrinë e Punëve të Brendshme, Qeverinë e Kosovës, si dhe Ambasadën e SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme.
Hoda përmendi gjithashtu anëtarësimin e IPK-së në mekanizma ndërkombëtarë, si dëshmi e besimit ndaj institucionit dhe tregues i konsolidimit e rritjes së kredibilitetit të saj ndër vite.
