IPK shënon 20-vjetorin, Hoda: Askush nuk qëndron mbi ligjin!

Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hoda, ka folur me rastin e 20-vjetorit të themelimit të institucionit. Ai theksoi arritjet dhe rolin thelbësor të IPK-së në forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Hoda deklaroi se gjatë dy dekadave të punës, fokusi ka qenë në garantimin e ligjshmërisë dhe adresimin e mijëra ankesave të qytetarëve.

“Sot shënojmë dy dekada me një synim të qartë: sundimin e ligjit. Jemi angazhuar për mijëra ankesa nga qytetarët. IPK-ja sot gëzon besimin e publikut. Kemi dëshmuar se askush nuk qëndron mbi ligjin”, theksoi Hoda.

Ai shtoi se bashkëpunimi institucional ka qenë vendimtar për suksesin e Inspektoratit Policor të Kosovës. Hoda falënderoi Prokurorinë, Policinë e Kosovës, AKI-në, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe qeverinë, si dhe Ambasadën e SHBA-së për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

“Anëtarësimi ynë në mekanizma ndërkombëtarë është dëshmi e besimit ndaj institucionit tonë”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo tregon konsolidimin e IPK-së dhe rritjen e kredibilitetit të saj ndër vite.