Agjentë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) ndodhen në Havanë për të hetuar një incident me armë zjarri që ndodhi në fund të shkurtit midis rojës bregdetare kubane dhe një skafi me regjistrim në Florida.
Lajmi u konfirmua nga një zyrtar amerikan i ambasadës në Havanë, i cili foli në kushte anonimiteti për agjencinë Agence France-Presse (AFP). Sipas tij, ekipi i FBI-së mbërriti të martën në Kubë, si pjesë e një hetimi të pavarur mbi ngjarjen.
Zëdhënësi i ambasadës nuk dha detaje të mëtejshme mbi praninë e agjentëve në ishull, në një kohë kur marrëdhëniet midis SHBA-së dhe qeverisë kubane mbeten të tensionuara.
Sipas autoriteteve kubane, më 25 shkurt, një anije e rojës bregdetare iu afrua skafit për verifikim, por personat në bord reaguan duke hapur zjarr. Autoritetet kubane e kanë cilësuar incidentin si një tentativë “infiltrimi me qëllime terroriste” nga një grup i armatosur, siç transmetoi Panorama.
Si pasojë e përplasjes, katër persona në skaf u vranë në vend, ndërsa një i pestë ndërroi jetë disa ditë më vonë nga plagët. Pesë të tjerë janë arrestuar dhe përballen me akuza për terrorizëm, pasi dyshohet se kishin hyrë të armatosur në territorin kuban me synimin për të destabilizuar qeverinë.
