Deputeti i LDK-së kërkon donacione nga paga e 13-të për fëmijët me autizëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, i ka bërë një thirrje publike kolegëve të tij në Kuvendin e Kosovës që të kontribuojnë financiarisht për fëmijët me autizëm. Ai ka propozuar që një pjesë e pagës së 13-të, e përfituar nga deputetët, të ndahet për këtë qëllim fisnik.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Sadiku ka kritikuar faktin se deputetët kanë marrë pagën e 13-të, pavarësisht se Kuvendi, sipas tij, nuk ka qenë mjaftueshëm aktiv gjatë periudhës së fundit.

Ai ka propozuar që secili deputet të ndajë nga 500 deri në 1000 euro nga kjo pagë. Sadiku theksoi se në një vend ku qytetarët përballen me vështirësi ekonomike, një veprim i tillë do të kishte vlerë të madhe. Ai po ashtu vuri në pah se sektori privat, mbi të cilin mbështetet një pjesë e madhe e ekonomisë, nuk e ka përfituar këtë pagë shtesë.

Kjo thirrje vjen në prag të Ditës së Ndërgjegjësimit për Autizmin, e cila shënohet nesër. “Për ne është pak, për ta ka shumë vlerë,” ka shkruar deputeti, duke theksuar se së bashku mund të mblidheshin mbi 50,000 euro. Mesazhin e tij Sadiku e përmbyll me fjalët: “Sepse politika fillon me njerëzinë.”

Sadiku ka deklaruar se personalisht nuk e ka pranuar pagën e 13-të, por do të kontribuojë me të njëjtën shumë.