Një 30-vjeçar vdes pas plagosjes me armë zjarri në Prishtinë
Një person rreth moshës 30-vjeçare ka ndërruar jetë në Qendrën Emergjente të QKUK-së, si pasojë e plagosjes me armë zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Emergjencës, Naser Syla, i cili bëri me dije se viktima ishte i lindur në vitin 1996.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, i cili specifikoi se incidenti ka ndodhur rreth orës 15:30 në rrugën “Dëshmorët e Marecit” në Prishtinë.
“Sot, rreth orës 15:30, morëm njoftimin për një person të lënduar në rrugën ‘Dëshmorët e Marecit’ në Prishtinë,” deklaroi Pllana. Ai shtoi se “njësitë policore dhe ekipet emergjente dolën menjëherë në vendngjarje, ndërsa personi u dërgua për trajtim mjekësor. Aktualisht, po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e këtij rasti.”
Policia po vazhdon hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.
