**
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i vendit. Ajo deklaroi se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po ndërton kapacitete profesionale në përputhje me standardet më të larta euroatlantike.
Këto komente, Haxhiu i bëri gjatë ceremonisë së diplomimit të kadetëve të FSK-së, gjenerata 2026. Ajo shtoi se sakrifica e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mbeten themelet e lirisë së Kosovës. Haxhiu u bëri thirrje oficerëve të rinj që ta ushtrojnë detyrën me ndershmëri, integritet dhe përgjegjësi.
“Kjo ditë u përket, në radhë të parë, juve, kadetë. Ajo u përket edhe familjeve tuaja, të cilat i falënderoj nga zemra për mundin, disiplinën dhe edukimin që ju kanë dhënë. Kjo ditë i përket gjithashtu akademisë që ju ka përgatitur dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila sot mirëpret në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësitë më të mëdha të jetës së tyre,” citohet të ketë thënë Haxhiu.
Presidentja në detyrë theksoi se diplomimi shënon fillimin e një përgjegjësie të re për oficerët e sapodiplomuar, të cilët gjatë katër viteve kanë kaluar një proces të thellë akademik dhe ushtarak.
“Të dashur kadetë dhe nga sot oficerë të rinj, me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis një përgjegjësi e jashtëzakonshme si oficerë të Republikës. Katër vite më parë, ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe me vullnet të palëkundur për t’i shërbyer atdheut. Gjatë këtyre viteve, përmes një programi të integruar akademik dhe ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës, keni përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht keni kaluar një edukim, stërvitje dhe formim të plotë ushtarak. Ky formim ka ngulitur disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mbart oficeri. Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë rritur pritshmëritë ndaj atyre që dinë të mendojnë drejt, të ruajnë qetësinë dhe të veprojnë shpejt e me integritet,” shtoi ajo.
Haxhiu vuri në dukje se grada ushtarake bart një përgjegjësi të madhe dhe duhet të justifikohet përmes profesionalizmit dhe integritetit. “Gradat që do të mbani në supet tuaja nga sot nuk janë thjesht dekorim në uniformën tuaj. Një oficer fiton besim me sjellje, ndershmëri, kujdes ndaj njerëzve që i janë besuar dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi, madje edhe kur vendimet mund të jenë të vështira,” përfundoi presidentja në detyrë.
