Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave – katër zyrtarë komunalë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë – nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe mashtrimit në prokurim publik lidhur me tenderë në Komunën e Suharekës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit D.M. dhe A.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit, dyshohen se kanë tejkaluar detyrat zyrtare. Gjatë zbatimit të kontratës për ndërtimin e rrugëve lokale si “Fejzë Koliqi – Gashi”, “Smajl Sadria” dhe “Isuf Meta” në fshatin Javor, ata kanë miratuar realizimin e punimeve dhe kanë lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro. Kjo ndodhi edhe pse kontrata nuk ishte realizuar në tërësi, pasi rruga “Fejzë Koliqi – Gashi” nuk ishte ndërtuar fare. Ky veprim i ka mundësuar operatorit ekonomik një përfitim të kundërligjshëm prej 9,050 eurosh dhe i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës.

Në një rast tjetër, të pandehurit E.SH. dhe I.H., po ashtu menaxherë kontrate dhe mbikëqyrës, akuzohen se kanë miratuar pagesa në shumën prej 17,124.10 euro për ndërtimin e rrugëve lokale “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” në fshatin Javor, si dhe “Osman Dalipi” në fshatin Luzhnicë. Kjo pagesë është lejuar edhe pse rrugët “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” nuk ishin ndërtuar fare. Me këto veprime, operatorit ekonomik i është siguruar një përfitim i paligjshëm prej 6,439.82 eurosh, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës.

Ndërkaq, të pandehurit XH.K. dhe A.S., si persona përgjegjës të kompanive kontraktuese, akuzohen se nuk i kanë realizuar të gjitha punimet e parashikuara me kontratat e prokurimit publik. Ata kanë paraqitur dokumentacion sikur punimet ishin përfunduar tërësisht, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme fonde publike dhe duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Gjithashtu, si dënim plotësues, është kërkuar ndalimi i ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik për të gjithë të akuzuarit.