**Aktakuzë në Suharekë: Paratë u paguan edhe për rrugë që s’u ndërtuan fare, katër zyrtarë dhe dy pronarë kompanish të dyshuar**

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave – katër zyrtarë komunalë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë – për vepra penale lidhur me pagesa për rrugë të pa ndërtuara në Komunën e Suharekës.

D.M., A.K., E.SH. dhe I.H., në cilësinë e zyrtarëve komunalë, akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” (neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës – KPRK). Ndërsa XH.K. dhe A.S., pronarë kompanish, akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” (neni 415 i KPRK-së).

Sipas aktakuzës, D.M. dhe A.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të saj, kanë tejkaluar detyrat zyrtare. Ata kanë miratuar realizimin e punimeve dhe kanë lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro për ndërtimin e rrugëve “Fejzë Koliqi – Gashi”, “Smajl Sadria” dhe “Isuf Meta” në fshatin Javor. Kjo është bërë megjithëse kontrata nuk ishte përmbushur plotësisht, pasi rruga “Fejzë Koliqi – Gashi” nuk ishte ndërtuar fare. Përmes këtyre veprimeve, operatorit ekonomik i është mundësuar një përfitim i kundërligjshëm prej 9,050 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.

Po ashtu, të pandehurit E.SH. dhe I.H., në role të ngjashme si menaxher kontrate dhe mbikëqyrës, kanë miratuar pagesa në shumën prej 17,124.10 euro për projektin e rrugëve “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” në fshatin Javor, si dhe “Osman Dalipi” në fshatin Luzhnicë. Kjo është bërë edhe pse ata e dinin se rrugët “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” nuk ishin ndërtuar fare. Me këto veprime, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i paligjshëm prej 6,439.82 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.

Sa u përket XH.K. dhe A.S., si persona përgjegjës të kompanive kontraktuese, akuzohen se nuk i kanë realizuar të gjitha punimet e parapara me kontratat e prokurimit publik. Ata kanë paraqitur dokumente të rreme, sikur punimet kishin përfunduar tërësisht, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme fonde publike dhe duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Gjithashtu, si dënim plotësues, ka kërkuar ndalimin e ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik për të pandehurit.