Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka refuzuar ankesën e zyrtarit të Kuvendit, Arben Loshi, i cili kundërshtonte vendimin për ripërsëritjen e konkursit për pozitën e Sekretarit të Kuvendit të Kosovës.
Ky vendim për shpalljen e re të konkursit ishte marrë pasi dy kandidatët që kishin kaluar fazat kualifikuese për votim në Kryesinë e Kuvendit, vetë Arben Loshi dhe Taulant Bajrami, nuk kishin arritur të siguronin shumicën e votave të Kryesisë.
Në ankesën e tij, Loshi pretendonte se procedura e rekrutimit për pozitën e Sekretarit përfundon me propozimin e kandidatëve të suksesshëm tek titullari i institucionit. Ai argumentonte se aktit të kontestuar, Vendimit me Nr. 10-V-007, të datës 30.03.2026, të Kryesisë së Kuvendit, i mungonte baza ligjore për rihapjen e konkursit. Sipas Loshit, procedura për Sekretar të Përgjithshëm të Kuvendit kishte përfunduar pasi kishte kaluar të gjitha fazat, dhe një procedurë e tillë mund të përfundojë vetëm sipas nenit 47, paragrafi 11 të Ligjit për Zyrtarët Publikë (LZP), si “lex specialis”. Ai shtonte se rihapja e konkursit dhe mospërzgjedhja e një kandidati ishte në kundërshtim të plotë me LZP-në. Më tej, Loshi pretendonte se vendimi i kundërshtuar nuk përmbante elementet thelbësore të një akti administrativ, siç parashihet me nenin 47 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), pasi nuk përmbante as arsyetim dhe as këshillë ligjore. Prandaj, ai kërkonte aprovimin e ankesës, anulimin e vendimit dhe detyrimin e Kryesisë së Kuvendit të vazhdojë procedurën duke përzgjedhur njërin prej kandidatëve të propozuar.
Nga ana tjetër, Kolegji i KPMSHCK-së argumentoi se vendimi për shpalljen e re të konkursit nuk kishte shkelur asnjë ligj. Kolegji konstatoi se një procedurë rekrutimi mund të përfundojë në çdo fazë, qoftë nëse asnjë kandidat nuk përmbush kriteret formale, apo nëse asnjëri nuk kalon testin me shkrim, ose nuk arrin pikët e nevojshme për t’u konsideruar i suksesshëm (70 pikë). Në raste të tilla, procedura mund të përfundojë pa një kandidat fitues, duke çuar në shpalljen e një konkursi të ri. Kjo bazohet në kuadrin ligjor, duke përfshirë nenin 47, paragrafi 11 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë.
Kolegji gjithashtu theksoi se as Loshi dhe as kandidati tjetër nuk kishin fituar të drejtë të konsoliduar për pozitën, pasi ata ishin shpallur vetëm si kandidatë të suksesshëm dhe jo si fitues. Mungesa e arsyetimit në aktin administrativ nuk e bën atë automatikisht të paligjshëm. Për më tepër, edhe pse Vendimi Nr. 10-V-007 nuk përmbante këshillë ligjore, ky fakt nuk ia heq palës ankuese të drejtën për të ndjekur mjetet juridike. Ligji Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 127, paragrafi 3, parashikon një afat prej tre muajsh për ankimim në raste të tilla, të drejtë të cilën Loshi e kishte shfrytëzuar.
Përmbledhtazi, Kolegji vlerësoi se pretendimet e Loshit ishin të pabazuara dhe se vendimi i ankimuar i Kryesisë së Kuvendit nuk rezultoi të kishte shkelje ligjore. Bazuar në nenin 18, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe në mbështetje të nenit 132, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ankesa e Arben Loshit u refuzua.
