Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka deklaruar se asnjë proces paqeje në Lindjen e Mesme nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa pjesëmarrjen aktive të vendeve të rajonit.
Gjatë një deklarate në Stamboll, në prani të kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, Erdogan akuzoi gjithashtu qeverinë izraelite se po përpiqet të minojë marrëveshjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke përshkallëzuar retorikën e tij ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Çdo zgjidhje që nuk mbështetet nga vullneti dhe kontributi i vendeve të rajonit nuk mund të jetë e përhershme,” u shpreh Erdogan.
Ai theksoi se Turqia po ndjek nga afër zhvillimet rreth marrëveshjeve SHBA–Iran dhe akuzoi qeverinë aktuale izraelite se po ushqen tensionet në rajon. Sipas tij, “qeveria izraelite, e varur nga lufta, nuk duhet të lejohet të zhytë rajonin në gjak dhe barut”.
Erdogan foli edhe për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Pakistanit, duke theksuar synimin për forcimin e bashkëpunimit në fusha si energjia, transporti, teknologjia dhe mbrojtja, si dhe rritjen e tregtisë dypalëshe në 5 miliardë dollarë.
Ndërkohë, në Stamboll u mbajt edhe një forum biznesi me pjesëmarrjen e zyrtarëve të dy vendeve. Ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar, deklaroi se kompanitë turke janë të gatshme të kontribuojnë në projektet e Pakistanit, veçanërisht në modernizimin e sektorit energjetik dhe transformimin e sistemit elektrik të vendit.
