**Nisin Gjobat për 140 Zyrtarë Publikë që Nuk Deklaruan Pasurinë**

Afati ligjor për deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), i cili përfundoi në fund të muajit mars, ka zbuluar se 140 zyrtarë publikë nuk e kanë përmbushur ende këtë detyrim ligjor. Ndërkohë, mbi 9,800 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë e tyre brenda afatit të caktuar.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur procedurat për shqiptimin e gjobave. “Brenda ditës së sotme do të dërgojmë kërkesat për të verifikuar shumën e pagës bazë të tyre, me qëllim që gjobat të shqiptohen sa më shpejt, pasi gjoba automatike për tejkalimin e afatit është 30% e pagës së tyre,” deklaroi Buleshkaj. Ai shtoi se këta zyrtarë kanë një afat shtesë 15-ditor për të kryer këtë obligim. “Gjatë kësaj periudhe nuk ka masa të tjera ndëshkuese, por nëse vonesa tejkalon 15 ditët, ata bëhen subjekt i kallëzimeve penale në prokurori,” theksoi drejtori i Agjencisë.

Në këtë kontekst, edhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se e ka plotësuar formularin për deklarimin e pasurisë. Gërvalla, e cila më parë ishte përballur me akuza në gjykatë për mosdeklarim pasurie – pas një kallëzimi penal nga vetë APK-ja – theksoi se nuk kishte asnjë hatërmbetje me Agjencinë. “Si ministre e drejtësisë kam vizituar shumë prej mekanizmave që kujdesen për luftimin e korrupsionit dhe reformat në fushën e drejtësisë… Është kryer, pse duhet ta qortoj drejtorin që bën punën e tij? Unë mendoj se qortimi i takon dikujt tjetër për keqpërdorim detyre në lidhje me aktakuzën ndaj meje. Por nëse kjo Agjenci e bën punën e saj, kam vetëm fjalë të mira, jo qortime,” u shpreh ajo.

Lidhur me k situatë, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kërkon masa më të ashpra ndëshkuese. Liridon Salihu, hulumtues në GLPS, theksoi se “çështja e mosdeklarimit ose e deklarimit të rremë të pasurisë është vepër penale për të gjithë ata zyrtarë që nuk e deklarojnë ose e deklarojnë rremë pasurinë dhe, sipas Kodit Penal, kjo vepër penale mund të dënohet nga 3 deri në 5 vjet burgim. Sot kemi parë, në përgjithësi nga monitorimi i sistemit të drejtësisë, se për këto vepra penale ka pasur dënime të ulëta nga ana e sistemit të drejtësisë.”

Bazuar në Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurive dhe Dhuratave, Presidenti, deputetët e Kuvendit, ministrat, zëvendësministrat, gjyqtarët, prokurorët dhe shumë kategori të tjera janë të detyruar të deklarojnë pasurinë. Së fundmi, këtij detyrimi ligjor i janë shtuar edhe mjekët, profesorët e universiteteve publike dhe doganierët.