Policia e Kosovës ka njoftuar se tre shoferë janë ndëshkuar për kundërvajtje të rënda në trafik në rajonin e Ferizajt, në kuadër të aktiviteteve për rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.
Rasti më i rëndë ka të bëjë me një 28-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar një automjet Audi me shpejtësi 161 kilometra në orë në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h. Ndaj tij janë shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjetit për gjashtë muaj.
Ndërkohë, një 23-vjeçari i është hequr patentë-shoferi për 12 muaj pasi kishte grumbulluar 10 pikë negative si pasojë e kundërvajtjeve të rënda në trafik.
Po ashtu, një tjetër 23-vjeçar është ndëshkuar me 200 euro gjobë, dy pikë negative dhe ndalim të drejtimit të automjetit për tre muaj, pasi kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe në vendkalim për këmbësorë, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Ky rast ishte raportuar nga një qytetar përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”. /Gazeta Express
Komunikata e plotë:
Ndëshkohen tre shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik
Policia Rajonale e Ferizajt vazhdon zbatimin e planit operacional për rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, duke ndërmarrë masa ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e trafikut.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, në rrugën magjistrale në fshatin Rakaj, ka ndaluar një automjet të tipit Audi me targa të huaja. Gjatë kontrollit është konstatuar se shoferi me inicialet N.B. (28 vjeç) po drejtonte automjetin me shpejtësi 161 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.
Për këtë kundërvajtje ndaj tij janë shqiptuar këto masa:
– Gjobë në vlerë prej 500 euro;
– 5 pikë negative;
– Masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjetit motorik për 6 muaj.
Ndërkaq, Njësia Policore e Stacionit në Ferizaj i ka shqiptuar shoferit me inicialet D.Ç. (23 vjeç) masën mbrojtëse heqje e patentë-shoferit për 12 muaj, pasi në periudhën 26.08.2025 – 09.06.2026, si pasojë e disa kundërvajtjeve të rënda në trafik, ka grumbulluar 10 pikë negative.
Po ashtu, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, ka ndaluar një automjet të tipit Opel Vivaro me targa vendore, pasi shoferi me inicialet A.H. (23 vjeç) kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe në vendkalim për këmbësorë, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Për këtë kundërvajtje ndaj tij janë shqiptuar këto masa:
– Gjobë në vlerë prej 200 euro;
– 2 pikë negative;
– Masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjetit motorik për 3 muaj.
Kjo kundërvajtje e shkaktuar është dërguar nga një qytetar, përmes platformës digjitale ” Lajmëro policinë”
Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë kontrollet e rregullta dhe aktivitetet e intensifikuara me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë dhe respektimit të dispozitave ligjore në trafik.
Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë, duke raportuar çdo shkelje apo rrezik në trafikun rrugor përmes numrave:
– 192
– 0290/326-250
– 0290/322-406
– Aplikacionit “Lajmëro Policinë”
Të gjitha informacionet e pranuara trajtohen me konfidencialitet të plotë.
