Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani dëshiron të arrijë sa më shpejt një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit, duke lënë të hapur mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike, ndërsa luftimet në Lindjen e Mesme vijojnë të rrisin shqetësimet për furnizimet globale me naftë.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Irani po kërkon me urgjencë një marrëveshje dhe se Uashingtoni është i hapur ndaj mundësisë së përfshirjes në një zgjidhje.

“Kombi i dështuar i Iranit dëshiron të bëjë një marrëveshje, shpejt dhe me dëshpërim. Unë do të vendos nëse Shtetet e Bashkuara zgjedhin të përfshihen, një ide për të cilën jemi të hapur”, shkroi presidenti amerikan.

Deklarata e Trump vjen në një moment kur konflikti në rajon po përshkallëzohet dhe ekziston frika se përplasjet mund të përhapen më tej në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Gjirit kanë shtyrë takimin e planifikuar me përfaqësuesit iranianë në Oman, ndërsa Huthit në Jemen kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj Arabisë Saudite, duke shtuar pasigurinë rreth zhvillimeve të ardhshme. /Panorama