Katër persona u plagosën nga të shtëna me armë zjarri në Lindjen e Los Anxhelosit, pas ndeshjes së Kupës së Botës midis Anglisë dhe Meksikës, të cilën Anglia e fitoi 3-2. Incidentet ndodhën pranë zonave ku turma tifozësh mbushën rrugët për të festuar rezultatin.
Sipas zëdhënësit të Departamentit të Sherifit të Los Anxhelosit, raportimet e para për tre incidente me armë zjarri, përfshirë ato në Bulevardin Whittier, u morën menjëherë pas orës 21:40 të së dielës. Lajmi u bë i ditur fillimisht nga New York Post.
Të katër të plagosurit u dërguan në spital, por gjendja e tyre shëndetësore mbetet e paqartë. Departamenti i Sherifit bëri të ditur se nuk ka pasur viktima (fatalitete), nuk është arrestuar asnjë i dyshuar dhe asnjë motiv nuk është identifikuar ende.
Bulevardi Whittier është një zonë e njohur dhe e frekuentuar nga komuniteti meksikano-amerikan, ku rrugët shpesh mbushen me njerëz që festojnë gjatë evenimenteve të tilla sportive.
Më herët të dielën, drejtuesit e Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit kishin shpallur një alarm taktik në të gjithë qytetin. Kjo masë, e raportuar nga KNBC, nënkupton se oficerëve në detyrë nuk u lejohet të largohen nga puna pa urdhër. Ky protokoll synon të sigurojë që forcat policore të kenë personel të mjaftueshëm në rast të trazirave apo incidenteve masive.
