**Maqedonci: Ushtria e Kosovës, plotësisht e gatshme për mbrojtje në vitin 2029**

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) pritet të arrijë kapacitetet e plota operacionale në vitin 2029. Sipas tij, në këtë vit FSK-ja do të jetë plotësisht e gatshme për mbrojtjen e territorit të vendit, mbështetjen e autoriteteve civile dhe pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare.

Gjatë një interviste për Euronews Albania, Maqedonci shpjegoi se procesi i transformimit të FSK-së po ecën sipas planit 10-vjeçar të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor 2018. Ndonëse përfundimi i fazës fillestare të planit ishte parashikuar për vitin 2028, gatishmëria e plotë operacionale pritet një vit më vonë.

Maqedonci theksoi se investimet e bëra gjatë kësaj periudhe kanë bërë që FSK-ja të tejkalojë shumë nga objektivat e vendosura. Ai sqaroi se kjo vlen veçanërisht në fushën e pajisjeve dhe armatimit.

“Kemi arritur t’i tejkalojmë shumë objektiva, si në aspektin e pajisjeve, jo vetëm në sasi, por edhe në llojet e armatimit, sepse kemi qenë të kufizuar në atë plan fillestar”, u shpreh ministri.

Ai përfundoi duke ritheksuar angazhimin për të pasur një forcë të aftë që në vitin 2029 të mbrojë territorin, të mbështesë institucionet civile dhe të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare.