Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka bërë thirrje për publikimin e menjëhershëm të rezultateve të kontrolleve dhe analizave të kryera në sektorin e qumështit, duke theksuar se çdo vonesë në rastin e kompanisë “Vita” po dëmton prodhimin vendor dhe favorizon produktet e importuara. LBK i ka drejtuar këtë kërkesë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe institucioneve përgjegjëse.

Nëpërmjet një reagimi publik, LBK thekson mbështetjen e plotë për zbatimin e ligjit, kontrollet profesionale dhe mbrojtjen e sigurisë ushqimore. Megjithatë, ajo kundërshton fuqishëm çdo kontroll që mund të jetë i motivuar ose i ndikuar politikisht, duke kërkuar që rezultatet të jenë ekskluzivisht profesionale, të pavarura dhe pa asnjë ndërhyrje politike apo interes tjetër.

Sipas LBK-së, zvarritja e publikimit të rezultateve ka pasoja serioze për kompaninë “Vita” dhe për të gjithë zinxhirin e prodhimit të qumështit në vend. Çdo ditë vonesë po shkakton dëme të mëdha jo vetëm për “Vitën”, por edhe për blegtorët, fermerët, përpunuesit, duke dëmtuar prodhimin vendor, duke rrezikuar vendet e punës, duke cenuar reputacionin e produkteve kosovare dhe duke vënë në rrezik tregjet e fituara me mund.

Këto vonesa dhe veprime të tilla, në praktikë, favorizojnë produktet e importuara, duke dobësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë dhe duke goditur një nga sektorët më strategjikë të ekonomisë së Kosovës.

Për këtë arsye, Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon që procedurat të përfundojnë urgjentisht dhe rezultatet të publikohen me transparencë të plotë e pa asnjë ndikim politik. LBK shpreh qartazi kundërshtimin ndaj çdo forme presioni politik apo “spektakli institucional” që cenon pavarësinë e sundimit të ligjit dhe krijon pasiguri për bizneset. Ajo thekson se veprimet institucionale duhet të jenë profesionale, proporcionale dhe të bazuara vetëm në ligj, duke paralajmëruar: “Mos e dëmtoni sektorin e qumështit. Mos e dëmtoni blegtorinë dhe prodhimin vendor. Çdo vonesë dhe çdo vendim i ndikuar politikisht dëmton fermerët, bizneset e Kosovës dhe i hap rrugë importit në dëm të ekonomisë sonë.”