Prokurorët pritet të paraqesin të hënën argumentet e tyre për të bindur gjykatën se një 23-vjeçar nga Utah duhet të dalë në gjyq për vrasjen e vitit të kaluar të Charlie Kirk, aktivistit konservator që konsiderohet se luajti rol të rëndësishëm në mobilizimin e votuesve të rinj në mbështetje të Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024.

Gjatë seancës paraprake, e cila pritet të zgjasë një javë, prokurorët duhet ta bindin gjyqtarin Tony Graf në Gjykatën e Qarkut në Provo se ekzistojnë prova të mjaftueshme për të besuar se Tyler Robinson, 23 vjeç, qëlloi me një plumb të vetëm duke vrarë Kirkun, 31 vjeç, më 10 shtator 2025.

Në kohën e sulmit, Kirk po merrte pjesë në një debat të organizuar në Universitetin Utah Valley në Orem, rreth 65 kilometra në jug të Salt Lake City. Debatet e tij në kampuse universitare kishin tërhequr audienca të mëdha dhe e kishin bërë atë një figurë të njohur në nivel kombëtar, shkruan Reuters.

Nëse gjyqtari vlerëson se ka bazë të mjaftueshme ligjore për vazhdimin e procedurës, Robinson do të deklarohet për fajësinë ose pafajësinë në një seancë që mund të mbahet po atë ditë, ndërsa më pas do të caktohet data e gjykimit.

Robinson përballet me shtatë akuza penale, përfshirë akuzën për vrasje të rëndë. Prokurorët kanë bërë të ditur se do të kërkojnë dënimin me vdekje ndaj tij. Ai ishte duke u trajnuar për t’u bërë elektricist dhe u dorëzua vetë në polici një ditë pas të shtënave.