Dogana e Kosovës sekuestron gati 30 mijë euro dhe mall të padeklaruar në Han të Elezit
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar dhe sekuestruar mall komercial dhe një shumë të madhe parash të padeklaruara në pikën kufitare të Hanit të Elezit. Ngjarja ka ndodhur gjatë kontrolleve rutinore në hyrje të Republikës së Kosovës.
Zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut, bazuar në analizën e riskut. Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte asnjë mall apo mjete monetare për deklarim.
Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të automjetit, është konstatuar një sasi malli me natyrë komerciale, e cila nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore. Po ashtu, gjatë kontrollit të drejtuesit të automjetit dhe një pasagjeri, janë gjetur 29,900 euro në para të gatshme, të cilat gjithashtu nuk ishin deklaruar.
Dogana e Kosovës thekson se mosdeklarimi i mallrave që i nënshtrohen procedurave doganore përbën kundërvajtje ligjore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, legjislacioni në fuqi për kontrollin e transportit ndërkufitar të parave të gatshme detyron çdo person që hyn ose del nga Kosova me 10,000 euro ose më shumë, ose kundërvlerën e tyre, t’i deklarojë ato tek autoritetet doganore. Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe sjell masa administrative, përfshirë konfiskimin e përkohshëm të tyre.
Në këtë rast, malli i padeklaruar, shuma monetare prej 29,900 eurosh dhe automjeti janë sekuestruar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore. Ndaj palës së përfshirë do të ndërmerren masat e parashikuara, përfshirë konfiskimin e një përqindjeje të mjeteve monetare sipas vendimit të autoritetit kompetent dhe procedurat për kundërvajtje doganore.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e kufijve doganorë, luftimin e tregtisë së paligjshme, kontrabandës dhe parandalimit të pastrimit të parave.
