Zbulim i rëndësishëm në Sklerozën Multiple: Inteligjenca Artificiale identifikon lezione të fshehura në tru
Studiuesit kanë realizuar një zbulim revolucionar në luftën kundër sklerozës multiple (MS), duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale (IA) për të identifikuar lezione të padukshme më parë në trurin e pacientëve. Ky zhvillim pritet të transformojë ndjeshëm kuptimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Skleroza multiple (MS) është një sëmundje serioze autoimune, ku sistemi imunitar i trupit sulmon gabimisht sistemin nervor qendror, duke prekur rreth 150 mijë persona vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo mund të shkaktojë një sërë simptomash dobësuese, si lodhje kronike, probleme me shikimin, spazma muskulore, vështirësi në kujtesë dhe probleme me ekuilibrin. Këto simptoma lidhen drejtpërdrejt me lezionet dhe dëmtimet që MS shkakton në tru dhe palcën kurrizore.
Për dekada, shkencëtarët kanë qenë të vetëdijshëm se dëmtimi i materies gri të trurit – përgjegjëse për përpunimin e informacionit, lëvizjen, kujtesën dhe emocionet – luan një rol kritik në përparimin e sëmundjes. Megjithatë, skanimet tradicionale me Rezonancë Magnetike (MRI), që përdoren për monitorimin e pacientëve, ishin në gjendje të dallonin kryesisht lezionet në materien e bardhë. Kjo ka lënë të pamonitoruara dëmtimet e fshehura në materien gri, ndonëse dihej se ato ndodhnin, duke ndikuar që edhe trajtimet e deritanishme të fokusoheshin më shumë te materia e bardhë.
Tani, kjo paradigmë po ndryshon. Shkencëtarët nga Universiteti i Bufalos kanë zbuluar një metodë për të identifikuar lezionet në materien gri, një përparim me potencial të madh për trajtimin e sklerozës multiple.
Robert Zivadinov, autori kryesor i studimit dhe profesor i neurologjisë, thekson se zbulimi i lezioneve kortikale, të padukshme më parë në skanimet tradicionale, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për kërkimet dhe kujdesin klinik. “Aftësia për t’i parë për herë të parë këta tregues të fshehur të përparimit të MS-së, përfshirë dëmtimet njohëse dhe paaftësinë, është një përparim i rëndësishëm,” deklaroi ai.
Teknika e re konsiston në përdorimin e Inteligjencës Artificiale për të analizuar dhe krahasuar njëkohësisht lloje të ndryshme imazhesh MRI të të njëjtit tru. Kjo qasje u testua në mbi 700 pacientë me MS, duke zbuluar më shumë se 11 mijë lezione të materies gri, të cilat nuk ishin identifikuar më parë. Ndërsa skanimet individuale nuk tregonin dëmtime të qarta, IA arriti të kapte ndryshime subtile mes imazheve, të padallueshme për syrin e njeriut, duke identifikuar edhe zona ku indi cerebral nuk funksiononte siç duhet.
Michael G. Dwyer, autori i parë i studimit dhe profesor i asociuar i neurologjisë dhe informatikës biomjekësore në Jacobs School, shprehu frustrimin e gjatë të shkencëtarëve që e dinin ekzistencën e këtyre lezioneve, por nuk mund t’i shihnin. “Ka shumë dëmtime të vazhdueshme në MS që nuk mund të shihen me MRI tradicionale, por që histopatologët i kanë dëshmuar qartë për dekada me radhë në indet e ekzaminuara pas vdekjes,” tha ai. Ai e cilësoi këtë bashkëpunim si një histori të vërtetë suksesi për përdorimin e IA-së në fushën mjekësore. “Tani kemi qasje në të dhëna jashtëzakonisht të dobishme nga skanimet MRI, të cilat kanë qenë aty, por nuk mund të shiheshin pa përdorimin e IA-së për t’i nxjerrë në pah. Metodat kompjuterike më në fund kanë arritur në pikën ku mund ta bëjmë këtë,” shtoi Dwyer.
Këto lezione ndërhyjnë në rrjetin e komunikimit të trurit, duke ngadalësuar ose bllokuar sinjalet nervore dhe duke shkaktuar simptomat dobësuese të MS-së.
Profesor Zivadinov theksoi se ky zbulim, i cili zbulon një patologji të madhe të padukshme në tru, do të ndikojë thellësisht si në rishikimin e të dhënave nga provat klinike të kaluara, ashtu edhe në udhëheqjen e studimeve të ardhshme.
Simptomat e MS zakonisht shfaqen për herë të parë mes moshës 20 dhe 40 vjeç. Ndërsa nuk ka ende një kurë, trajtimet aktuale mund të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes. Ky zbulim i ri shënon një hap të madh drejt një kuptimi më të thellë dhe trajtimeve më efektive për sklerozën multiple.
