Miliona njerëz përjetojnë ngërçe të papritura muskulore gjatë natës ose dhimbje që lidhen me plakjen e kockave dhe nyjeve.
Por një lloj më pak i njohur dhimbjeje, i quajtur “dhimbje në pushim”, mund të jetë shenjë e një problemi serioz me qarkullimin e gjakut.
Dhimbja në pushim shfaqet në këmbë ose në gishtërinj edhe kur personi nuk është duke ecur ose duke vendosur peshë mbi këmbë. Në shumë raste përshkruhet si një ndjesi e fortë djegieje.
Sipas të dhënave, afërsisht një në 100 persona në Shtetet e Bashkuara mund ta përjetojë këtë gjendje gjatë jetës.
Mund të jetë shenjë e një sëmundjeje serioze arteriale
Dhimbja në pushim mund të lidhet me disa probleme të këmbës, por në disa raste ajo është shenjë e ishemisë kronike kërcënuese të gjymtyrëve, e njohur si CLTI.
Kjo gjendje është një fazë e avancuar e sëmundjes së arterieve periferike, ose PAD.
PAD zhvillohet kur pllakat yndyrore grumbullohen në arterie, duke i ngushtuar enët e gjakut dhe duke kufizuar qarkullimin drejt këmbëve dhe shputave.

Në rastet e CLTI, qarkullimi i gjakut reduktohet në mëny të ndjeshme, duke bërë që indet të mos marrin oksigjenin dhe lëndët ushqyese të nevojshme.
Nëse nuk trajtohet shpejt, gjendja mund të çojë në plagë që nuk shërohen, ulçera, vdekje të indeve dhe, në rastet më të rënda, amputim.
Rrezik edhe për zemrën dhe trurin
Për shkak se CLTI lidhet me sëmundjen e arterieve periferike, pacientët kanë gjithashtu rrezik më të lartë për komplikime serioze kardiovaskulare, përfshirë infarktin dhe goditjen në tru.
Sipas të dhënave të publikuara në “Journal of Vascular Surgery”, pacientët që paraqiten me dhimbje në pushim kanë një rrezik të lartë afatgjatë për komplikime serioze.
Kjo ndodh sepse grumbullimi i rëndë i pllakave në arteriet e këmbëve shpesh lidhet me bllokime të ngjashme edhe në pjesë të tjera të sistemit kardiovaskular.
Pikërisht për këtë arsye, njohja e simptomave sa më herët mund të jetë vendimtare.
Pesë shenja që nuk duhen neglizhuar
Ndër simptomat kryesore që mund të sinjalizojnë një problem serioz me qarkullimin janë:
- dhimbje e fortë dhe djegëse në këmbë, veçanërisht në pushim;
- humbje e qimeve në këmbë ose shputa;
- lëkurë e zbehtë dhe me shkëlqim;
- ngërçe të forta në këmbë gjatë ecjes;
- ngjyrë vjollcë ose blu në gishtërinjtë e këmbëve.
Këto shenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se një person ka CLTI, por kërkojnë vlerësim mjekësor, sidomos nëse janë të vazhdueshme ose përkeqësohen.
Duhani dhe mungesa e aktivitetit rrisin rrezikun
Disa zakone të jetesës mund ta rrisin rrezikun për probleme serioze të qarkullimit.
Pirja e duhanit, konsumimi i tepërt i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqyerja jo e shëndetshme janë ndër faktorët që mund të dëmtojnë gradualisht arteriet.
Aktiviteti fizik mbetet i rëndësishëm edhe në moshë të shtyrë, pasi ndihmon në ruajtjen e qarkullimit të gjakut dhe në uljen e rrezikut për komplikime vaskulare.
Një rast që ngriti alarmin
Një specialist tregoi rastin e një pacienti mbi 70 vjeç, i cili kishte filluar të përjetonte dhimbje të fortë dhe djegie në këmbë.
Ai nuk kishte bërë më parë kontrolle të rregullta dhe për vite me radhë ishte përpjekur t’i menaxhonte vetë problemet shëndetësore.
Gjatë ekzaminimit me ultratinguj u vunë re shenja të qarkullimit të dobët të gjakut, si edhe ënjtje në pjesën e sipërme të shputës.
Gjithashtu, pacienti nuk kishte më qime në këmbë dhe lëkura e tij ishte bërë e zbehtë dhe me shkëlqim.
Duke parë të gjithë historinë shëndetësore, u zbulua se ai kishte pirë duhan rregullisht për rreth 30 vjet, konsumonte sasi të larta alkooli dhe kishte një stil jetese kryesisht të ulur.
Ai u referua më pas te një ekip specialistësh vaskularë për vlerësim dhe trajtim të mëtejshëm.
Si trajtohet dhimbja në pushim?
Trajtimi varet nga shkaku i dhimbjes.
Nëse ajo shkaktohet nga PAD ose CLTI, mjekët mund të përshkruajnë barna për të ulur rrezikun e mpiksjes së gjakut, për të reduktuar kolesterolin dhe për të kontrolluar probleme si tensioni i lartë ose diabeti.
Gjithashtu rekomandohen ndryshime në stilin e jetesës, përfshirë:
ndalimin e duhanit, shtimin e aktivitetit fizik dhe përmirësimin e ushqyerjes.
Në rastet më të rënda mund të nevojiten procedura për të rikthyer qarkullimin e gjakut, si angioplastika, vendosja e stentit ose operacioni bypass.
Mos e injoroni dhimbjen, sidomos gjatë natës
Dhimbja në pushim mund të shfaqet papritur, por problemi që e shkakton mund të jetë zhvilluar në heshtje për vite me radhë.
Pikërisht për këtë arsye, dhimbja e vazhdueshme në këmbë, sidomos gjatë natës ose kur personi është në pushim, nuk duhet neglizhuar.
Vlerësimi i hershëm nga mjeku, podiatri ose specialisti vaskular mund të ndihmojë në identifikimin e problemeve serioze të qarkullimit përpara se të shkaktohen dëmtime të pakthyeshme. /GazetaExpress/
