Nagavci kërkon pjekuri politike nga deputetët për zgjedhjen e presidentit

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit për unitet, seriozitet dhe përgjegjësi politike, veçanërisht në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Duke folur pas rifillimit të punës së Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Nagavci theksoi se ky është një moment që kërkon qartësi, seriozitet dhe përgjegjësi. Ajo u shpreh se institucioni legjislativ është rikthyer jo vetëm në formalitetin e rendit të ditës, por në thelbin e funksionit të deputetëve si përfaqësues të qytetarëve.

“Kuvendi i Republikës është vendi ku merren vendimet dhe nuk ka asnjë adresë tjetër ku mund të zhvendoset kjo përgjegjësi. Në këtë fazë kemi nevojë për unitet dhe bashkëpunim,” tha Nagavci.

Më tej, Nagavci deklaroi se para deputetëve qëndron një proces i rëndësishëm kushtetues: zgjedhja e presidentit të Republikës. “Në këtë proces, nga secili prej nesh kërkohet pjekuri politike,” theksoi ajo.

“Në emër të çdo deputeti nënshkruhet serioziteti i këtij institucioni. Presidenti si figurë e unitetit të popullit kërkon një proces që duhet të udhëhiqet nga bashkëpunimi. Përgjegjësia është e jona. Qytetarët presin nga ne që të marrim vendime,” përfundoi Nagavci.