**Politikania Paraguajane Amarilla, që ofendoi racore Mbappen, tani e kërcënon me burg**

Politikania paraguajane Celeste Amarilla, pas fyerjeve raciste që i drejtoi Kylian Mbappes, e ka kërcënuar sulmuesin francez me burg. Ky zhvillim vjen pas polemikave të ndezura nga deklaratat e saj, të cilat nxitën reagimin e ashpër të Mbappes dhe Federatës Franceze të Futbollit.

Kjo situatë nisi pas ndeshjes së fundit ku Franca siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pas një fitoreje të vështirë 1-0 ndaj Paraguait. Fitorja u vulos nga një penallti e shënuar në fund të ndeshjes nga ylli i skuadrës, Kylian Mbappe. Franca pritet të përballet me Marokun në raundin e ardhshëm.

Festimet pas ndeshjes u lanë në hije nga komentet e Celeste Amarillës, anëtare e Partisë Liberale Radikale të Paraguait. Ajo publikoi një sërë deklaratash fyese ndaj Mbappes pas humbjes së ekipit të saj kombëtar, duke përfshirë komente raciste që tallnin origjinën dhe arsimimin e sulmuesit francez.

Mbappe reagoi ashpër, duke dënuar publikisht Amarillën: “Ju nuk përfaqësoni Paraguain, një vend që gjatë këtij turneu tregoi pasion dhe nder. Për shkak të papërgjegjshmërisë dhe racizmit tuaj të hapur, e gjithë bota tashmë ka harruar rrugëtimin dhe përpjekjen historike të futbollistëve tuaj në këtë Kupë Bote, duke ia lënë vendin imazhit të një gruaje të paaftë që i jep vendit të saj imazhin më të keq të mundshëm. Nuk do të lejoj kurrë që njerëz si ajo të kenë lirinë të përhapin urrejtje dhe racizëm në mbarë botën.”

Federata Franceze e Futbollit (FFF) konfirmoi gjithashtu se po planifikon të ngrejë padi penale ndaj Amarillës, duke i cilësuar komentet e saj si “plotësisht të neveritshme dhe të papranueshme”.

Megjithatë, Amarilla nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj. Ajo publikoi një letër të hapur në rrjetet sociale, duke i kërkuar Mbappes që t’i kërkojë falje për “agresivitetin” e tij ndaj saj. Amarilla shkroi: “Postimet e mia u shkruan në një moment emocionesh. Gjaku im i përzier, përzierja e bukur e trashëgimisë indigjene dhe spanjolle që rrjedh në venat e mia, po vlonte. Më vonë u pendova që iu përgjigja me të njëjtat fyerje që edhe vetë kisha marrë.”

Ajo shtoi: “E kuptoj se po përsëritja pikërisht sjelljen që e urrej, prandaj e fshiva postimin. E kuptoj se të lëndoi, sepse ishte poshtëruese. Tani pres që edhe ti të bësh të njëjtën gjë: të tërheqësh deklaratat e tua dhe të më kërkosh falje. Nuk do ta toleroj agresionin tënd. Ti nuk e di kush jam dhe nuk ke të drejtë të thuash se JAM NJË GRUA E POSHTËR, E PAVLERË PËR POSTIN QË MBAJ. Kjo është dhunë me bazë gjinore, thjesht dhe qartë. Është dhunë politike ndaj një gruaje që ka arritur në pozitën e saj me votat e popullit. Tërhiq deklaratat e tua, ndero shtetësinë tënde franceze dhe më kërko falje. Përndryshe, mund të nis procedura ligjore për dhunë me bazë gjinore.”

Më pas, Amarilla e thelloi edhe më tej këtë përplasje, duke kërcënuar Mbappen se mund të përballet me burg në Paraguaj për komentet e tij. Ajo përmendi rastin e Ronaldinhos, i cili kaloi një muaj në burg në Paraguaj në vitin 2020 për përdorim të pasaportës së falsifikuar. Amarilla deklaroi: “E urrej padrejtësinë, e urrej diskriminimin. Nuk i urrej francezët, nuk i urrej afrikanët dhe nuk kam ndjenjat raciste për të cilat më akuzojnë. M’u bë padrejtësi dhe kam arsye të mjaftueshme për të ngritur një padi. Do t’i thosha të lexojë letrën time, nëse di të lexojë, dhe do t’i thosha të ketë kujdes me paraguajanët. Ronaldinho ka qenë tashmë i burgosur këtu dhe ai nuk duhet të më nënvlerësojë. Mund ta padis për dhunë gjinore dhe dhunë politike. Ai duhet të më kërkojë falje.”

Deri më tani, as Kylian Mbappe dhe as Federata Franceze e Futbollit nuk kanë reaguar ndaj deklaratave më të fundit të Amarillas.