Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) “Powering the Future”, një prej ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare ku po diskutohen zhvillimet e ardhshme të tregtisë globale, investimet, zhvillimi ekonomik dhe sfidat me të cilat përballet ekonomia botërore.

Në kuadër të forumit, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, zhvilloi një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të OBT-së, Ngozi Okonjo-Iweala, ku në fokus ishin mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimin e interesave të komunitetit të biznesit kosovar në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e tregjeve për kompanitë kosovare, rritjen e eksporteve, forcimin e konkurrueshmërisë dhe përfshirjen më të madhe të sektorit privat të Kosovës në rrjedhat e tregtisë ndërkombëtare.

Shahini theksoi se Kosova duhet të kalojë nga një ekonomi e orientuar kryesisht drejt importeve në një ekonomi më të fuqishme prodhuese dhe eksportuese.

“Kosova nuk duhet të jetë vetëm një treg që importon, por duhet të bëhet një ekonomi që prodhon, eksporton dhe konkurron në tregun global. Prania e AKB-së në OBT është një mundësi për ta çuar zërin e biznesit kosovar aty ku diskutohen drejtimet e ardhshme të ekonomisë botërore”, tha Shahini.

Sipas tij, pjesëmarrja në forume të tilla është e rëndësishme për krijimin e mundësive të reja për bizneset vendore dhe për promovimin e potencialeve ekonomike të Kosovës.

“Bizneset kosovare kanë potencial për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare, por kanë nevojë për më shumë hapësira, partneritete dhe qasje në tregje të reja. Duhet të punojmë që produktet ‘Made in Kosovo’ të jenë gjithnjë e më të pranishme në tregun global”, u shpreh kryetari i AKB-së.

AKB ka marrë pjesë ndër vite në aktivitete dhe forume të ndryshme ndërkombëtare, duke përfaqësuar interesat e komunitetit të biznesit kosovar dhe duke promovuar mundësitë për investime, eksporte, partneritete dhe bashkëpunim ekonomik.

Pjesëmarrjen në Forumin Ekonomik të OBT-së “Powering the Future”, AKB e vlerëson si një mundësi të rëndësishme për të prezantuar perspektivën e sektorit privat të Kosovës dhe për të krijuar kontakte të reja me institucione dhe komunitete biznesi nga vende të ndryshme.

“Biznesi kosovar duhet të jetë pjesë e tryezave ndërkombëtare ku diskutohet e ardhmja e tregtisë dhe ekonomisë globale. Vetëm përmes një angazhimi më të madh ndërkombëtar mund të hapim tregje të reja, të rrisim eksportet dhe të krijojmë mundësi të reja për kompanitë tona”, deklaroi Shahini.

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për ndërkombëtarizimin e sektorit privat, promovimin e produkteve vendore, rritjen e eksporteve dhe krijimin e lidhjeve të reja me komunitetet e biznesit dhe institucionet ekonomike ndërkombëtare.