**Kusari-Lila: 206 kërkesa për verifikim të njehsorëve, nuk ka manipulim konsumi deri më tani**

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi sot në Kuvend se deri më tani nuk është identifikuar manipulim i vëllimit të konsumit të energjisë elektrike përmes njehsorëve, ndonëse numri i kërkesave për verifikimin e tyre është rritur ndjeshëm.

Ajo theksoi se dje ishin paraqitur 70 kërkesa për verifikim, ndërsa vetëm sot ky numër ka arritur në 206.

Kusari-Lila sqaroi se Agjencia e Metrologjisë, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), kryen verifikime të jashtëzakonshme të njësive matëse. Për këtë qëllim, është themeluar një grup pune ad-hoc, i përbërë nga përfaqësues të Agjencisë së Metrologjisë dhe nën mbikëqyrjen e Inspektoriatit Qendror të Tregut. Ajo theksoi se, para se çështja të aktualizohej publikisht, nuk kishte pasur asnjë kërkesë të tillë në Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Lidhur me rezultatet paraprake të verifikimeve, Kusari-Lila u shpreh se “deri më tani nuk është identifikuar ndryshim i vëllimit apo sasisë së energjisë së matur, por çështjet e identifikuara lidhen me tarifat apo kohët tarifore”. Këto rezultate, shtoi ajo, do të bëhen publike në fund të ditës.

Të gjitha të dhënat dhe analizat e detajuara, tha ministrja, do t’i dërgohen Zyrës së Rregullatorit për marrjen e masave të nevojshme. Ajo kujtoi se legjislacioni në fuqi, përfshirë Ligjin për Metrologjinë dhe Ligjin për Inspektoriatin dhe Mbikëqyrjen e Tregut, parashikon sanksione dhe dënime për subjektet shkelëse, si fizike ashtu edhe juridike.