Mijëra pjesëmarrës janë nisur në “Marshin e Paqes” nga Nezuku, pranë Tuzllës, duke përshkuar rreth 100 kilometra drejt Srebrenicës, në homazh të viktimave të gjenocidit të kryer në vitin 1995 në zonën e mbrojtur të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pjesëmarrësit do të marshojnë për tri ditë, duke ndjekur të njëjtat shtigje nëpër të cilat banorët e Srebrenicës, në korrik të vitit 1995, u përpoqën të arrinin në territorin e lirë të Tuzllës ose Klladanjit.

Ata pritet të mbërrijnë në Potoçari në mbrëmjen e 10 korrikut, ndërsa më 11 korrik do të marrin pjesë në shënimin e përvjetorit dhe ceremoninë e varrimit kolektiv në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potoçari.

“Marshi i Paqes” organizohet prej vitit 2005 dhe që prej atëherë, numri i pjesëmarrësve është rritur çdo vit. Ky marsh ka si qëllim ndërtimin, forcimin dhe ruajtjen e kulturës së kujtesës për gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve në Srebrenicë.

Këtë vit, në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potoçari, do t’i jepet lamtumira e fundit 10 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës. Viktima më e re është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975, i cili u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit, ndërsa mbetjet e tij mortore u zhvarrosën në vitin 2022. Viktima më e moshuar është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i cili u zhduk në zonën e Zvornikut.

Deri më tani, në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potoçari janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 viktima të tjera janë varrosur në vende të ndryshme, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth ende figurojnë të zhdukur.

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, në korrik të vitit 1995, forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë më shumë se 8.300 boshnjakë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2007, konstatoi përmes një aktgjykimi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila asokohe ishte nën mbrojtjen e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid. Gjithashtu, e njëjta gjykatë shpalli Serbinë përgjegjëse për dështimin në parandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin e saj për të ndëshkuar autorët e tij.

Në gjykata të ndryshme, deri më tani mbi 50 persona janë dënuar me rreth 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë. Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq. /REL